Tregtarët në qendrën e eksportit te produkteve të Kinës, Yiwu janë të pashqetësuar nga tarifat e presidentit amerikan Donald Trump kundër Kinës.
Zeng Hao, tregtar: Shtimi i një tarife nuk do të ndikojë shumë tek ne.
Gazetari: Pse kështu?
Zeng Hao: Para së gjithash, produkti ynë është me fitim të lartë. Nëse e shes këtu për 5 juanë, shitësit me shumicë mund t’u japin konsumatorëve një çmim prej 15 ose 20 juanësh, sepse ky është çmimi standard në SHBA. Edhe nëse një tarifë shkon nga 2,5 juanë në 5 juanë kjo është një arsye për të rritur çmimet për klientët e tyre, dhe ata gjithashtu do të përpiqen të negociojnë me ne, për shembull, ata mund të thonë, ‘tarifat tona u rritën, a mund të mbuloni një pjesë të kostos për ne?’ Dhe ne do të pajtoheshim, në fund të fundit, ata janë klientë afatgjatë, kështu që ne do t’i mbështesim ata deri në një farë mase.
Qyteti Yiwu në provincën Zhejiang të Kinës lindore është qendra më e madhe e shitjes me shumicë në botë ku eksportohen produkte duke filluar nga pemët e Krishtlindjeve deri te kostumet.
Lily Fu, i cili zotëron një biznes të vogël thotë se një tarifë nuk do të kishte një efekt të rëndësishëm te tregtarët si ai.
Lily Fu: Kjo është paparashikueshmëria e Shteteve të Bashkuara… epo, ne jemi në rregull me të. Nuk kemi zgjidhje. Si biznesmenë, kur jemi në situata të tilla, nuk mund të bëjmë asgjë. Çfarëdo që ata thonë, ne thjesht e zbatojmë. Nëse ata anulojnë dërgesat e paketave të vogla, atëherë klientët tanë do të kalojnë në transportin me kontejnerë, apo jo? Nuk ka rrugë tjetër. Është e vështirë për ne të ndryshojmë diçka rrënjësisht.

Ndërsa të tjerë tregtarë nuk janë të surprizuar dhe thonë se e prisnin një skenar të tillë.
Cheng Haodong, pronar biznesi: Para se Trump të merrte detyrën, ne parashikuam se ai do të zgjidhej. Pra, çfarë duhet të bëjmë pasi Trump të vijë në pushtet? Ne mblodhëm informacione nga raporte të ndryshme, si dhe në platforma si Facebook, YouTube dhe Instagram. Ne kemi bërë rregullime strategjike për kompaninë paraprakisht.
Abby Jin, shprehet se është e pashqetësuar nga kjo lëvizje e administratës së Donald Trump.
Abby Jin: Unë nuk mendoj se ndikimi është shumë i rëndësishëm për momentin. Për shembull, nëse SHBA vendosin tarifa, ne mund të përgjigjemi duke ulur pak marzhet tona të fitimit ose duke rregulluar kostot. Në fund, kostot shtesë do t’u kalohen konsumatorëve fundorë në vendin e tyre, që do të thotë se ata përfundimisht do të mbajnë pasojat e politikave të tyre ekonomike.
Ajo thotë se edhe pa tregun amerikan Kina do t’ia dalë të shesë produktet e saj.
Abby Jin: Kërkesat janë tashmë aq të larta sa nuk mund t’i përmbushim, kështu që nuk ka rëndësi nëse marrëdhëniet SHBA- Kinë përkeqësohen. Gjithashtu, SHBA duhet të pyesë veten nëse mund të gjejnë një partner më të mirë tregtar se Kina për ta zëvendësuar. Është një pyetje që ata duhet ta konsiderojë vetë.
Në fillim të muajit hynë në fuqi, tarifat e reja amerikane për mallrat kineze, me Kinën që njoftoi menjëherë vendosjen e tarifave për importet amerikane si kundërpërgjigje.

Kina tha se do të vendoste tarifa prej 15 për qind për qymyrin amerikan dhe gazin natyror të lëngshëm, si dhe tarifa prej 10 për qind për naftën e papërpunuar, makineritë bujqësore dhe disa lloje makinash.
Masat amerikane përfshijnë një tarifë prej 10 për qind për të gjitha mallrat kineze, të cilën Presidenti Donald Trump e shpalli në një përpjekje për të ushtruar trysni mbi Kinën që të ndërmarrë veprime për të parandaluar kontrabandën e fentanilit në Shtetet e Bashkuara.
Kina nga ana tjetwr ka thënë se ka ndërmarrë hapa për të goditur industrinë dhe tregtinë e paligjshme të drogës.
“Shpresoj që Kina do të ndalojë së dërguari fentanil dhe nëse jo, tarifat do të rriten ndjeshëm”, tha Presidenti Trump. Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Karoline Leavitt, ka deklaruar se Presidenti Trump do të bisedonte me presidentin kinez Xi Jinping në ditët në vijim.

Trump shtyu për një muaj hyrjen në fuqi të tarifave prej 25 për qind për eksportet nga Meksika dhe Kanadaja, pasi bisedoi me presidenten meksikane Claudia Sheinbaum dhe kryeministrin kanadez Justin Trudeau.
Ekspertët thonë se Pekini shpreson për një zbutje të qëndrimit amerikan, siç ndodhi ndaj Meksikës dhe Kanadasë. Por cilat do të jenë mallrat që mund të preken nga këto tarifa.
SHBA importoi mallra me vlerë rreth 427 miliardë dollarë nga Kina në vitin 2023, viti më i fundit me të dhëna të plota, sipas Byrosë së Regjistrimit të SHBA. Pajisjet elektronike të konsumit, duke përfshirë celularët, kompjuterët dhe aksesorët e tjerë të teknologjisë, përbëjnë kategoritë më të mëdha të importit. Tarifat mund të ndikojnë gjithashtu në atë se sa paguajnë konsumatorët për veshje, këpucë dhe artikuj kuzhine zakonisht të lira por deri nga mobiljet e deri tek pjesë automjetesh.
Klan News