New York është bërë qyteti i parë në Shtetet e Bashkuara që vendos një tarifë për hyrjen e automjeteve.
Drejtuesit e makinave do të paguajnë deri në 9 Dollarë në ditë për të hyrë në qendër. Tarifat më të larta do të aplikohen për kamionët dhe autobusët.
Kamionët e vegjël dhe autobusët do të paguajnë 14,40 Dollarë për të hyrë në Manhattan në oraret e pikut, ndërsa kamionët më të mëdhenj dhe autobusët turistikë do të paguajnë një tarifë prej 21,60 Dollarë.
Zona ku do të tarifohen mjetet përfshin disa nga atraksionet më të famshme të qytetit, si Empire State Building, Times Square dhe rrethin financiar të Wall Street. Skema synon të lehtësojë problemet e trafikut të Nju Jorkut dhe të mbledhë miliarda për rrjetin e transportit publik.
Ish-Presidenti Donald Trump është zotuar ta anullojë skemën pas kthimit të tij në detyrë këtë muaj. Republikanët e kanë cilësuar një “zhvatje absurde të parave,” duke kërkuar ndërhyrjen e menjëhershme të Trump. Një tarifë e tillë u propozua për herë të parë nga Guvernatori i shtetit të Nju Jorkut, Kathy Hochul dy vjet më parë, por u rishikua pas ankesave nga disa udhëtarë dhe biznese.
Ky vendim është përballur me shumë kundërshtime edhe nga shoqatat e shoferëve të taksive. Vitin e kaluar, qyteti i Nju Jorkut u cilësua zona urbane më e mbipopulluar në botë për të dytin vit radhazi, sipas INRIX, një firmë e analizës së të dhënave të trafikut.
Klan News