Bilanci i bizneseve do të dorëzohet me identitetin e financierit
Tatimet do t’u kërkojnë bizneseve që bashkë me dorëzimin e bilanceve vjetore, të depozitojnë edhe emrin dhe kartën e identitetit të personit që ka bërë hartimin e bilancit.
Burime zyrtare për televizionin Klan sqarojnë se udhëzimi i ri do të hyjë në fuqi brenda muajit shkurt dhe synon të forcojë luftën kundër evazionit fiskal.
Aktualisht përgjegjësinë për mashtrimin e të dhënave të pasqyrave financiare që dorëzojnë kompanitë e mbajnë vetëm administratorët e firmës, por akti i ri do të synojë zgjerimin e përgjegjësive edhe te financieri i cili bën deklarime të pasakta me qëllim shmangien e pagesës së taksave.
Njëkohësisht me këtë nisëm, tatimet do të mbledhin brenda korrikut të këtij viti të dhënat e llogarive financiare që kanë në banka apo institucione të tjera personat jo-rezidentë që banojnë në Shqipëri, ku fokusi do të përqendrohet te tatimpaguesit e mëdhenj, për të parë nëse kanë paguar në përputhje me ligjin taksat në Shqipëri.
Lufta kundër evazionit fiskal është vënë në qendër të punës të administratës tatimore, e cila këtë vit do të shoqërohet edhe me ndryshimin tërësisht të mënyrës së deklarimit të shitjeve përmes reformës së fiskalizimit.
Rritja e të ardhurave në buxhet është një nga sfidat e autoriteteve fiskale, pasi 2019-ta u mbyll me një bilanc negative të mosrealizimit të tyre me 240 milion dollarë.
Tv Klan