Të ardhurat dhe shpenzimet kanë pasur ecuri pozitive gjatë muajit Prill, duke përshpejtuar ritmet e rritjes, sipas treguesve të publikuar nga Ministria e Financave. Referuar këtij dikasteri në muajin Prill të këtij viti të ardhurat ishin gati 68 miliardë lekë, niveli më i lartë mujor, me një rritje prej 32% në krahasim me të njëjtin muaj të një viti më parë dhe me përshpejtim të ndjeshëm nga marsi, kur rritja vjetore ishte pothuajse zero për shkak të ecurisë së dobët të të ardhurave nga tatim-fitimi.
Ministria e Financave thekson se të ardhurat totale për 4-mujorin e vitit 2024 u realizuan në masën 231.64 miliardë lekë ose 103.5% e planit të së njëjtës periudhë të një viti më parë.
Krahasuar me një vit më parë, të ardhurat u rritën me 24.1 miliardë lekë ose 11.6% më shumë. Ndikimin kryesor në rritjen e të ardhurave e dhanë kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore dhe tatimi mbi të ardhurat personale. Ministria e Financave bën të ditur se ndryshe nga viti i kaluar në rritje ishin edhe të ardhurat doganore me 4.4 miliardë lekë më shumë.
Të njëjtën tendencë kishin dhe shpenzimet kapitale në prill. Pas një tremujori të parë me realizimin investimesh shumë të ulët, në prill u shpenzuan 9.3 miliardë lekë, nga 15.5 miliardë lekë që ishte zëri i shpenzimeve kapitale për gjithë 4 mujorin. Shpenzimet e prillit ishin gati dy herë më të larta se e njëjta periudhë e një viti më parë.
Shpenzimet e përgjithshme publike për periudhën 4-mujore të vitit 2024, arritën në rreth 185.8 miliardë lekë me një realizim në masën 96.8% të planit.
Klan News