Pasditen e sotme në studion e “Rudina” në Tv Klan të ftuarit diskutuan për projektligjin e ri të qeverisë për uljen e tatimit të pronave nga 15% në 5%. Agjenti imobilar Armand Shkëmbi dhe ekspertja Eriola Hoxha dhanë detaje për publikun sa i përket këtij projektligji. Të dy njëzëri u shprehën se nga kjo nismë e qeverisë qytetarët do të kenë shumë leverdi.

Eriola Hoxha: Projektligji që pritet të miratohet në parlament dhe më pas të bëhet i zbatueshëm për qytetarët është rivlerësimi në normën apo vlerën 5% në të gjithë tregun imobilar të shitjes apo të blerjes së apartamenteve. Që do të thotë se për të gjithë qytetarët shqiptarë që zotërojnë një pronë apo janë pronarë të pasurive të paluajtshme, pronat e tyre do të vlerësohen duke u bazuar tek çmimet e tregut, por dhe në varësi të ndërtesave, apartamenteve, vilave apo qendrave rezidenciale që janë në vendin tonë. Do të kenë çmime të ndryshme, me koefiçent të ndryshëm, gjë që do të sjellë që dhe në tregun imobilar të shitjeve të pasurive të paluajtshme, një çmim të ndryshëm.

Rudina Magjistari: Po le të themi se si do të realizohet kjo me një shembull konkret.

Armand Shkëmbi: Pjesa më e madhe e shqiptarëve i kanë të regjistruara pronat në librat e shtetit me vlerë të ulët. Po themi ti ke një apartament 100 metër katror, shteti ka vendosur një çmim reference në zonën tënde 95 mijë lekë të reja, për metër katror. Pra apartamenti yt në librat e shtetit vlen 95 mijë euro, ti e ke të regjistruar 35 mijë euro, pra në sytë e shtetit ti ke 60 mijë euro fitim nëse shkon ta shesësh. Sot ky 60 mijë euro fitim tatohet me 15%, që do të thotë 9 mijë euro taksë. Nëse ti e parapaguan këtë taksë paguan 1/3 e saj me 5%, pra nga 9 mijë euro parapaguan 3 mijë euro dhe vlera e regjistruar e pronës tënde shkon nga 35 mijë euro në 95 mijë euro, që pastaj kur ta shesësh 95 mijë euro, të paguash zero taksa.

Rudina Magjistari: Pra ne kursejmë 10% në këtë rast të fitimit. Gjë që është shumë me leverdi duhet thënë, sepse do duket sikur duhet të paguajmë tani diçka ekstra që s’është e nevojshme ta nxjerrim nga buxheti i familjes, por nga ana tjetër është diçka që na ndihmon dhe na ul shpenzimet tona më mbrapa./tvklan.al