Kreu i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani ka thënë se tanimë SPAK është funksional, mirëpo pavarësisht kësaj, ka ende disa sfida me të cilat ky institucion po përballet. Sfida që i ka listuar gjatë fjalës së tij në Komisionin e Monitorimit të AP-së së Këshillit të Europës.
Altin Dumani: Sot kemi një SPAK funksional, në përbërje janë 20 prokurorë, kemi investuar dhe me mjete dhe teknologji bashkëkohore. Një shtyllë e suksesit të SPAK ka qenë bashkëpunimi ndërkombëtar. Por para nesh ka shumë sfida. Në mënyrë të përsëritur, SPAK ka paraqitur disa shqetësime. Sfida e parë, ruajtja e pavarësisë institucionale të SPAK. Një tjetër shqetësim, mungesa e përcaktimit të qartë ligjor lidhur me statusin e prokurorit të posaçëm pas përfundimit të mandatit të tyre. Të rishikohet dhënia e mundësisë së prokurorit të posaçëm që të rikandidojë për të vazhduar të jenë pjesë e SPAK.
Duhet të bëhen ndryshime në Kodin Penal lidhur me pragun monetar prej 500 Euro me qëllim rritjen e këtij pragu. Çdo akt korruptiv mbi këtë marzh bën kompotentë SPAK-un. Është koha që ky marzh të rritet dhe SPAK të fokusohet tek çështjet e ndjeshme dhe që janë më të vështira për t’u hetuar. Një sfidë është administrimi me sukses i rolit të ri të komisionerit publik. Kemi filluar fazën e eksperimentimit dhe shumë shpejt në muajt e parë të 2025-ës do të bëhet funksional sistemi i administrimit të çështjeve, që do të përmirësojë dhe paraqitjen tonë sa i takon dhe statistikave të ndryshme.
SPAK nuk mund të luftojë i vetëm korrupsionin dhe ka nevojë për bashkëpunimin e institucioneve të tjera që të jemi të suksesshëm. Një problematikë tjetër që ne shohim është edhe mungesa e kompetencës për shqyrtimin e kërkesave të autoriteteve të huaja lidhur me njohjen dhe ekzekutimin e vendimeve në Shqipëri në ngarkim të shtetasve shqiptarë. Beteja kundër korrupsionit, një përpjekje e përbashkët.
/tvklan.al