Edi Rama do të rikthehet në Greqi me turin e tij “Krenar për Shqipërinë”. Të dielën në orën 11 me orën lokale, kryesocialisti do të takohet në hotel “Porto Palace” me shqiptarët që jetojnë në zonën e Selanikut.

Formati do të jetë i ngjashëm me takimin e Nju Jorkut ku pritet që kryeministri të ketë më shumë sesa një fjalim, ku do të flasë për votën e emigrantëve dhe qeverisjen e tij 12-vjeçare edhe të bashkëbisedojë me diasporën shqiptare në shtetin fqinj. Vetë ai postoi një lajmërim për takimin e Selanikut.

“Pasnesër do të rikthehem me një kënaqësi krejt të posaçme tek shqiptarët e Greqisë, këtë herë në Selanik, ku historia na ka lidhur me njëmijë fije dhe e sotmja na bashkon më shumë se asnjëherë me fqinjët tanë jugorë, si dy popuj europianë që edhe për pak vite do jenë krah për krah në Bashkimin Europian”, shkruan Kryeministri Rama në “Facebook”.

Nacionalistët grekë, me anë të postimeve në rrjetet sociale kanë paralajmëruar se po përgatiten për një antimiting. Po planifikohet një tubim nga shoqatat nacionaliste greke. Tubimi do të udhëhiqet nga kryetari i Partisë Ultranacionaliste greke Dimitris Valasidis.

Janë bërë gati dhe fletushkat që do të hidhen përpara hotelit ku Rama do të zhvillojë takimin me bashkatdhetarët. Tv Klan ka siguruar një prej fletushkave të përgatitura, ku shkruhet “Liri për Vorio Epirin”.

Ultranacionalisti Dimitris Valasidis ka marrë pjesë dhe në protestat e zhvilluara për të mbrojtur atë që e quajnë kauza e Vorio Epirit, përpara Konsullatës Shqiptare në Selanik.

Nuk dihet nëse policia greke është njoftuar mbi këtë antimiting, për të marrë masa që mos të shkaktohen incidente. Për takimin që Rama zhvilloi në Athine më 12 maj ishin angazhuar një numër shumë i madh forcat policore përgjatë gjithë perimetrit të “Chritsmans Theater”, nga ku nisi turi i kryesocialistit “Krenar për Shqipërinë”.

Tv Klan