Edhe kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla ka uruar të gjitha gratë e vajzat shqiptare këtë 8 Mars. Përmes një postimi në Facebook, ajo thekson se qëllimi i këtij viti është investimi te gratë, për të përshpejtuar progresin.

Më tej, Nikolla shton se me rastin e festës, është mbledhur në Paris bashkë me gratë kryeparlamentare nga 5 kontinentet ku u morën dy vendime të rëndësishme.


Me rastin e 8 Marsit, Ditës Ndërkombëtare të Grave, uroj nga zemra të gjitha nënat, motrat, bashkëshortet dhe vajzat shqiptare. Këtë vit, tema e përzgjedhur për të kremtuar këtë ditë domethënëse është “Të investojmë te gratë, për të përshpejtuar progresin.” Asnjë faktor a investim tjetër, as njerëzor dhe as teknologjik, nuk mund ta nxisë zhvillimin shoqëror më shumë sesa investimi te gratë dhe vajzat.  Këtë prag 8 Marsi, bashkë me gratë kryeparlamentare nga të pesë kontinentet, u mblodhëm në Paris në Samitin Botëror, themeluam Rrjetin e Grave Kryeparlamentare dhe miratuam Deklaratën për Barazinë dhe të Drejtat e Grave, në të cilën u bëmë thirrje parlamenteve të të gjitha vendeve të vendosin të drejtat e grave dhe barazinë gjinore në krye të agjendave parlamentare”, shkruan Nikolla në mesazhin e saj./tvklan.al