Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Ka arritur në 16 numri i viktimave nga të rinjtë kosovarë që kishin ardhur të vizitonin Shqipërinë. Mefail Morina, djali 18-vjeçar nuk ka arritur t’i shpëtojë dot plagëve të marra me gjithë ndërhyrjen e mjekëve. Po kështu Ardita Z. me të njëjtën moshë, në gjendje të rëndë është nisur drejt Italisë për kurim. Sipas mjekëve ajo ka dëmtime të mushkërisë, e ka pasur hemorragji të brendshme, i është dhënë 15 njësi gjaku, por gjendja për të është e vështirë.

Në Spitalin Ushtarak po trajtohen 13 të rinj kosovarë, së bashku me mësuesit. Janë vizituar nga kryeministri kosovar Rexhepi e zyrtarë të lartë shqiptarë, kreu i parlamentit, zv/kryeministri Dokle, ministri i Mbrojtjes dhe ministrja e Integrimit, por ata që janë në gjendje më të mirë arrijnë të tregojnë tmerrin që kanë parë gjatë rrëzimit të autobusit.

“Diku afër Fushë Arrëzit ka qenë, kur një Benz ka ardh me vijën tonë edhe ka godit autobusin. Është mundu me iu shmang edhe ka fillu me u rrokullis diku me nja 5-6 rrokullisje, po rrokullisja më e madhe ka qenë nga ana e prapme e autobusit, ne çka kemi qenë më përpara do të thotë kemi shpëtu më lehtë edhe tash kur kemi ra atje poshtë, një pjesë të nxënësve çka kanë qenë përpara unë i kam pa të ngritur. Në momentin kur kemi ra poshtë edhe unë jam ngrit në këmbë edhe kam mendu se s’kam asgjë, mirëpo pas një kohe ndih dhembje të gjoksit. Unë personalisht kur është nda autobusi në dy pjesë, kam ra në mes të dy pjesëve ene jam ngrit vetë. Ai bëni të mundur për me na shpëtu, por ishte rruga shumë e ngushtë, kthesë dhe në momentin kur ne kemi ardh të shtunën, në të njëjtin vend kemi pa një aksident që kishte ndodhur.”

“Kam qenë pas shoferit, ulur me një shokë, kam qenë në gjumë kur ka ndodhur, nuk di me.”

Lajmi i keq është përhapur nga dje në Kosovë. Prindërit dhe të afërmit janë nisur natën prej andej për të qenë pranë fëmijëve, pa ditur në janë gjallë apo plagosur. Disa kanë mbërritur e kanë marrë kufomën, të tjerë kanë uruar “qoftë me kaq”.

Prindi: “E pash mes televizionit emrin aty, numër 18 ishte, për aty nga ora 9:30 u nisa për në Tiranë. Jemi nisur me një shok, me një Golf të kuq edhe kemi mbërri nga ora 5 e mëngjesit ashtu këtu në spital. Nga Kosova vetë nuk isha në gjendje të vozisë, po një shok voziste, gjatë rrugës nuk dija ku gjendesha, po megjithëse e njohë mirë rrugën për në Tiranë, por këtë rast nuk dija ku isha.”

Gazetarja: kaluat në vendin ku autobusi kishte rënë?

Prindi: “Po në vendin ku kishte rënë autobusi ishte policia aty edhe u ndalëm, e shiqum mirë aty greminë ku kishte ra autobusi, pamë edhe ato çantat, mjetet e tjera të nxënësve. Ishte një moment tronditës.”

Gjendja e disave në spitalet e Shkodrës dhe Lezhës është e rëndë, nuk dinë se çka ndodhur dhe cilët kanë humbur./tvklan.al

Gazetare: Holta Zhiti