Një kornizë e mbuluar me baltë dhe disa foto janë kujtimet e fundit që Ana Piedra Carbonell ka mundur të shpëtojë nga shtëpia e nënës së saj në Algemesi, pasi përmbytjet shkatërimtare goditën Valencian.

Fotografia tregon një moment të lumtur me nënën, motrën dhe babain e saj, para se ai të vdiste në moshën 36-vjeçare.

“Është një foto familjare. Një foto e babait tim, nënës sime, motrës sime përfshi edhe unë kur ishim fëmijë. Është i vetmi kujtim që nëna ime ka për të kujtuar babanë tim, sepse ai vdiq kur ishte 36 vjeç. Nëna ime tani është 74 vjeç. Mobiljet dhe elektroshtëpiaket mund të ndërrohen, por fotot nuk kthehen më ato kanë vlera emocionale.”

Për të ruajtur fotografitë e kujtimeve të dashura familjare, Piedra iu drejtua Universitetit të Valencias, ku një ekip ekspertësh kanë filluar të mbledhë fotografi të dëmtuara nga përmbytjet në një përpjekje për të mbrojtur trashëgiminë e komuniteteve lokale një iniciativë e quajtur “Save the pictures”.

Një nga sfidat kryesore është se shumë nga fotot janë ngjitur së bashku, gjë që e bën punën më të vështirë, tha për Reuters Marisa Vazquez de Agredos, drejtore e përgjithshme për trashëgiminë në Universitetin e Valencias.

“Kur njerëzit e prekur nga përmbytjet na telefonojnë ose na dërgojnë email, ajo që na thonë është se janë shumë mirënjohës sepse shumë prej tyre kanë humbur gjithçka, por këto janë fotografi të gjyshërve të tyre, festa ditëlindjesh. Janë kujtime familjare.”

Pilar Jimenez, një 65-vjeçare nga Aldaia, solli aq shumë fotografi në ekip sa që duhej ta ndihmonin edhe njerëz të tjerë që të mbushte dy herë një karrocë dore.

“Fotot janë pjesë e historisë sonë. Ato foto flasin shumë për jetën e njerëzve, epokën në të cilën po jetojmë. Kjo është arsyeja pse unë mendoj se ato janë kaq të rëndësishme.”

Në fund të Tetorit, më shumë se 220 njerëz humbën jetën pasi shirat e rrëmbyeshëm shkaktuan përmbytje nëpër periferi të Valencias.

Shumë njerëz humbën shumë, nëse jo të gjitha pasuritë e tyre, me shumë sende të tjera që pësuan dëmtime të rënda nga uji. Prioriteti kryesor i ekipit është kthimi i fotografive të restauruara te pronarët e tyre, kështu që për ato është krijuar edhe një regjistër.

Klan News