Trajneri i Real Madrid, Carlo Ancelotti, mendon se sulmuesi Vinicius Junior nuk duhej ndëshkuar me karton të kuq për goditjen e portierit ndaj Valencias, në sfidën e fituar 2-1 me përmbysje nga madrilenët.
Sipas teknikut italian, arbitri duhet të kishte dhënë karton të verdhë për të dy lojtarët. Gjithashtu ai zbuloi se nga Real Madrid do të ketë apelim për kartonin e kuq ndaj sulmuesit.
“Mendoj se nuk ishte karton i kuq për Vinicius. Duhej të ndëshkoheshin të dy lojtarët me të verdhë. Skuadra donte të reagonte kur mbetëm me 10 lojtarë. Është e vështirë të shpjegohet ajo pjesë e parë e keqe dhe ndryshimi në të dytën.
Ne do të apelojmë për kartonin e kuq të Vinicius. Portieri e shtyu dhe lojtari jonë reagoi. Duhet të ishin ndëshkuar të dy me të verdhë. Vinicius ka vuajtur, nuk mund të them se ra në kurth. Mendojmë se nuk ishte për të kuq. Fitorja ishte e merituar”, u shpreh Ancelotti.
Me fitoren ndaj Valencias, Real Madrid është ngjitur në krye të renditjes, duke lënë pas Atletico Madrid dhe Barcelonën. /tvklan.al