Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në shtetin verior të Nuevo Leon të Meksikës ku të paktën nëntë persona kanë humbur jetën duke përfshirë një fëmijë, dhe rreth 50 janë plagosur pasi një pjesë e një skene u shemb në një tubim gjatë fushatës zgjedhore.
Mediat e huaja raportojnë se incidenti ndodhi teksa kandidati presidencial i qendrës së majtë Jorge Alvarez Maynez po mbante një fjalim në qytetin e San Pedro Garza Garcia, pranë Monterrey-t.
Ndërkohë Maynez nuk mbeti i dëmtuar nga shembja pasi pak momente pas incidentit është parë duke komunikuar me mbështetësit e tij, por disa nga anëtarët e ekipit të tij kanë mbetur të lënduar.
Në një postim në “X” Maynez është shprehur se shembja është shkaktuar nga një erë e fortë që shkatërroi strukturën e madhe të skenës dhe iu bëri thirrje qytetarëve që të shmangin daljet jashtë
Shumë nga të plagosurit po trajtohen në klinikat lokale, njoftoi drejtori i institutit të sigurimeve shoqërore të Meksikës.
“Unë kurrë nuk kam përjetuar diçka kaq të papritur,” u tha Alvarez Maynez gazetarëve, duke iu referuar se sa shpejt ndodhi e gjithë ngjarja.
/tvklan.al