Shefi i komunikimit të Policisë së Shtetit, Genti Mullai ka treguar më me detaje zanafillën e konfliktit mes dy të miturve 14-vjeçarë në shkollën “Fan Noli” në Tiranë. I ftuar në Klan News, Mullai thotë se autori i dyshuar i krimit dhe viktima janë konfliktuar që ditën e premte në një lokal jashtë shkollës.

Ndërkohë, ditën e djeshme ata janë konfliktuar në tualetin e shkollës. Debati mes tyre nuk ka mbetur pa u dëgjuar nga mësuesja dezhurn e cila ka njoftuar drejtoreshën dhe më pas kanë ballafaqur të miturit. Sipas Mullait, pas këtij ballafaqimi, 2 bashkëmoshatarët janë përqafuar me njëri-tjetrin.

Besard Jacaj: Cila ishte telefonata e parë që mbërriti në Policinë e Shtetit?

Genti Mullai: Fakti që ka ndodhur 200 metra larg perimetrit të shkollës, kjo nuk na shfajëson nga përgjegjësia për të bërë më të mirën e mundshme me qëllim që të parandalojmë ngjarje të tilla dhe të rrisim parametrat e sigurisë në shkollë. Të dy 14-vjeçarët kanë pasur një konflikt që ditën e premte mes njëri-tjetrit, por e kanë pasur jashtë shkollës në një lokal.

Di që nuk ka qenë në dijeni drejtoria e shkollës apo oficerja e sigurisë, por i referohemi ditës së hënë që kanë qenë prezentë oficerja e sigurisë dhe drejtoria e shkollës. Në pushimin e orës së tretë, në katin e dytë, të dy këta nxënës, në 5-minutshin e pushimit, kanë shkuar në tualetin e katit të dytë dhe aty kanë debatuar me zë të lartë me njëri-tjetrin. Mësuesja që ka qenë dezhurne, ka njoftuar oficeren e sigurisë, drejtoreshën e shkollës dhe i kanë marrë të 2 nxënësit në pyetje.

Të 2 nxënësit janë justifikuar që janë keqkuptuar dhe se nuk kanë gjë me njëri-tjetrin. Më pas, ata janë përqafuar me njëri-tjetrin në sytë e tyre jo sinqerisht, çka ka sjellë pasojën më vonë. Duke qenë se këta 2 nxënës ishin me mesatare shumë të mirë, me rezultate shumë të mira në mësime nuk kanë qenë problematikë më parë, nuk kanë sjellë shqetësime më parë të vijueshme, menduan se e zgjidhën këtë konflikt dhe nuk e kanë njoftuar policinë.

/tvklan.al