Masakra me 4 të vrarë në Dobraç të Shkodrës do të hetohet nga SPAK pasi Prokuroria e Shkodrës të premten e konsideroi veten si jo kompetente për vijimin e hetimeve.
Të dhënat e grumbulluara sipas hetuesve tregojnë se pas vrasjes së Hamza Licit, Arlind Bushatit dhe çiftit të kalimtarëve Bashkim dhe Flutura Basha qëndrojnë disa persona që kanë bashkëpunuar si një grup kriminal.
Bashkëpunime të tilla janë në kompetencën e Prokurorisë së Posaçme, që me administrimin e dosjes pritet të vijojë me hetimet e tjera.
Pista kryesore e hetimeve deri më tani është ajo e hasmërisë mes grupeve kriminale në këtë qytet, konfliktet e të cilëve janë shfaqur edhe në disa dosje të hetuara nga SPAK me bazë komunikimet në aplikacionin SKY.
Lici dhe Bushati po lëviznin me një makinë tip “Benz” kur ranë pre e breshësirisë së automatikut pasditen e 30 Tetorit në Dorbraç.
Bashkë me ta dyshohet nga hetuesit të ketë qenë edhe një person i tretë, i cili ende nuk është konfirmuar nëse ka qenë i shumëkërkuari Ibrahim Lici, vëllai i 23-vjeçarit Hamza Lici.
Tv Klan