Ambasadorja e Kinës, znj.Pang Chunxue dhe kryebashkiaku i Fierit Armando Subashi vizituan mjediset e kompanisë Bankers Petroleum Albania, biznesit më të rëndësishëm kinez në Shqipëri dhe gjithashtu në rajonin e Fierit.

Ambasadorja Chunxue tha se Bankers është projekti i madh kinez në Shqipëri dhe mbetet një histori suksesi.

“Për mua është mbresëlënëse të shikoj çfarë kompania po bën në zhvillimin e këtij aseti përmes investimeve në teknologjitë më të fundit për prodhimin e naftës. Bankers ka dhënë një kontribut të rëndësishëm për ekonominë e Shqipërisë dhe unë jam besimplotë që kompania do të ketë një të ardhme shumë të mirë duke rritur edhe më shumë impaktin pozitiv në vend”.

Nga ana tjetër, CEO i kompanisë, Huanqin Xiao evidentoi se vitit 2024 do të jetë padyshim një periudhë transformuese për Bankers.

“Ne sapo kemi nisur aplikimin e teknologjisë së re për prodhimin e naftës përmes injektimit të avullit duke mos u bazuar me vetëm tek nxjerrja e naftës nga metoda e zakonshme konvencionale. Rezultatet janë optimiste ku po prodhojmë 25 ton/ ditë në javët e para”.

Kreu i Bashkisë së Fierit, Armando Subashi theksoi se falë ecurisë pozitive të Bankers në vend qarku i Fierit planifikon të tërheqë investitorë të tjerë kinezë në fushën e shëndetësisë, teknologjisë dhe inteligjenicës artificiale.

Bankers prodhon aktualisht mbi 85% të totalit të naftës në vend dhe punëson mbi 1500 persona duke kontribuar ndjeshëm në ekonominë vendase.

Tv Klan