“Vodhi 75 milionë lekë duke abuzuar me projektet”
Bankers Petroleum Albania ka paditur në Prokurorinë e Fierit, Adriatik Golemaj, i cili ka mbajtur pozicionin e Menaxherit të Marrëdhënieve me Komunitetin për disa vite në këtë kompani. Padia është dorëzuar në organin e akuzës i cili ka nisur hetimet.
Bankers akuzon ish-punonjësin për vjedhje duke shpërdoruar detyrën duke i sjellë kompanisë një dëm financiar prej rreth 75 milionë lekë. Në padi thuhet se përmes pozitës së tij, Golemaj dyshohet se ka paracaktuar fituesit e granteve dhe projekteve të ndryshme, të financuara nga Bankers.
Sipas Bankers, përgjatë periudhës 2016-2018, Golemaj dyshohet se ka abuzuar ne disa raste: në projektin e pyllëzimit në Sheqishte me një vlere prej 20 milionë lekësh, në grantet për bujqësi në vlerën prej 38.5 milionë lekësh, në dy investime aksesh rrugore në Bashkinë e Roskovecit në vlerën total prej rreth 13 milionë lekësh.
Kompania thotë se abuzimet janë shtrirë edhe në grantet e dhëna për të fuqizuar ekonomikisht banorët e Patos-Marinzës ku rezulton se pjesa me e madhe e përfituesve janë individë me lidhje familjare dhe shoqërore të ish- Menaxherit dhe që nuk jetojnë në këtë zonë operuese së kompanisë.
Tv Klan