Platforma Telegram u ka kërkuar falje autoriteteve të Koresë së Jugut për trajtimin e materialeve pornografike të falsifikuara të shpërndara përmes platformës së tij.

Reagimi i Telegram vjen disa ditë pasi policia e Koresë së Jugut lajmëruan se kishin nisur një hetim ndaj platformës , duke e akuzuar atë se po “ndihmonte” në shpërndarjen e imazheve të tilla.

Javët e fundit policia ka zbuluar se me anë të kësaj platforme shpërndaheshin foto dhe video intime të vajzave apo adoleshentëve në Korenë e Jugut. Por platforma pretendon që në momentin që është vënë në dijeni të këtij rasti ka vepruar për ndalimin e qarkullimit të këtyre materialeve.

“Situata është fatkeqe”, ka deklaruar Telegram gjatë një deklarate për Komisionin e Standardeve të Komunikimit të Koresë së Jugut, duke shtuar më tej se kërkonte ndjesë nëse kishte pasur ndonjë element keqkuptimi.

Telegram ka konfirmuar se kishte hequr 25 video me përmbajtje pornografike. Këto foto apo video nuk janë reale,  por “deepfake” pasi merrej fotoja e vajzave dhe i bashkëngjitej një trupi nudo.

Ndërkaq policia e Koresë së Jugut kohët e fundit ka marrë një sërë denoncimet, ku shumë vajza të reja janë ankuar për qarkullimin e fotove nudo false që qarkullonin në këtë platformë.

Një situatë e ngjashme është raportuar edhe në Francë, ku Telegram është në hetim edhe nga autoritetet e këtij shteti./tvklan.al