Mëngjesin e kësaj të shtune në studion lëvizëse të “Aldo Morning Show” në Tv Klan ishte i ftuar meteorologu Hakil Osmani. Ai bëri parashikimin e motit për këtë fundjavë, teksa tha se temperaturat e ulëta do të na shoqërojnë deri në fillimin e javës që vjen. Sipas tij në zonat malore temperaturat do të arrijnë vlerën -7 gradë Celsius, ndërsa në zonat e thella ato do të jenë deri në -10 gradë Celsius.
“Do të kemi një rënie të ndjeshme të temperaturave të ajrit pasi kemi një rënie prej 2 gradësh ditën e sotme. Por, dita e nesërme do të ketë akoma një rënie më të ndjeshme të temperaturave, të paktën 6 gradë celsius, në orët e para të mëngjesit dhe gjatë mesditës kryesisht në vendet malore. Ndërsa në Ultësirës Perëndimore orët e para të mëngjesit do të luhaten nga 1 në 5 ose 6 gradë Celsius në vijën bregdetare. Dhe në qytetet e zonës së ulët do të kemi një rënie të ndjeshme të temperaturave në orët e para të mëngjesit. Por, dhe dita e hënë do të shoqërohet me temperatura të ulëta. Do të ketë temperatura -7 gradë Celsius, kjo në qytetet e zonave malore. Në zonat e thella malore shkojnë dhe -10 gradë Celsius, gjatë orëve të para të mëngjesit.”
Përveç temperaturave të ulëta dhe reshjeve të shiut, në një pjesë të qyteteve të vendit nuk do të mungojnë as reshjet e dëborës. Mbrëmjen e kësaj të shtune dhe të diele pritet të nisin reshjet e borës kryesisht në zonat veri-lindore dhe jug-lindore. Sipas meteorologut në zonat e thella malore sasia e reshjeve të borës mund të arrijnë deri në 50 centimetra.
“Do të kemi reshje dëbore përgjatë kësaj fundjave, në orët e vona të mbrëmjes së sotme, mëngjesin e ditës së dielë, po ashtu dhe mbrëmja e së dielës do të sjellë prezentë reshjet e dëborës në qytetet e zonave malore. Më të dukshme do të jenë në veri dhe veri-lindje. Do të jenë prezente dhe në jug-lindje. 50 centimetra pritet të jetë sasia e reshjeve të borës në zonat e thella, në veri-lindje. Ndërsa në jug-lindje 30-40 milimetra, reshjet do të jenë prezente, por jo në sasi të mëdha si në veri-lindje. Fenomeni “La Nina” do e kemi deri në Shkurt, kështu që do të kemi temperatura të ulëta në rang kontinenti. Duhet thënë që vlera -6 ose -7 gradë Celsius nuk është një vlerë e jashtëzakonshme. Nuk do të vazhdojnë këto temperatura. Këtë episod do e kemi deri ditën e martë, ku do të kemi temperatura mjaft të ulëta. Më shumë problematike priten që të jenë ngricat në akset rrugore. Duhet bërë shumë kujdes sidomos në gjysmë lindore të territorit shqiptar.”
Sa i përket vazhdimit të Janarit, Hakil Osmani tha se në 10 ditëshin e dytë të muajit do të kemi një normalizim të temperaturave.
“Ky 10 ditësh i muajit Janar pritet që të jetë me temperatura më të ulëta se sa normalja. Do të kemi këto episode me vlera -6 ose -7 gradë Celsius. Në gjysmën e dytë të javës që vjen pritet që temperaturat të kenë përmirësim duke bërë që minimumet të zbresin në -4 gradë Celsius në zonat malore. Në kryeqytete, por dhe në qytete e vijës së ulët bregdetare temperaturat e ajrit do të luhaten nga 2 e deri në 8 gradë Celsius.”/tvklan.al