35 gradë celsius ka shënuar temperatura maksimale gjatë javës së tretë të muajit Majit, një vlere kjo qe meteorologët e konsiderojnë si mjaft te larte për stinën e pranverës. Megjithatë java e fundit e këtij muaji pritet të jetë pak me e freskët se ditët që lamë pas.
Tanja Porja: “Java që sapo lamë vajti tek afërsisht 35 gradë, ndërsa java që vjen jo mbi 32, pra dhe 32-shi është me pikëpyetje shumë të madhe do arrihet apo s’do arrihet”.
Por parashikimet flasin për një verë tepër të nxehtë. Shqipëria pritet të goditet në dy muajt e ardhshëm nga i nxehti afrikan duke bërë që temperatura maksimale të kaloj mbi 42 grade celsius.
Tanja Porja: “Temperaturat maksimale do të shënohen, do të vrojtohen gjatë valëve të të nxehtit afrikan. Këto do jenë rreth tre apo edhe katër episode. Nuk e dimë nëse do ndodhin dy episode në Qershor dhe dy në Korrik apo të gjithë episodet në Qershor dhe më pak Korriku, por muaji Qershor dhe Korrik pritet që të jenë më të nxehtët. Temperatura maksimale pritet të arrijë në zonat e veçanta mbi 41 gradë.”
Rritja e temperaturave ka venë në gatishmëri urgjencat e kryeqytetit veçanërisht atë të pediatrisë.
Gjatë kësaj jave numri i vogëlushëve që kanë patur nevoje për shërbim mjekësor i ka kaluar 200 pacientë në ditë, ndërsa rritja e temperaturave në muajin Korrik e Gusht pritet të shtojë numrin e pacientëve që kanë nevojë për ndihmë urgjente./tvklan.al