U shoqërua me tension dhe debate të forta mbledhja me orë të zgjatura e kryesisë së Partisë Demokratike. Dy prej anëtarëve të kryesisë, Jemin Gjana dhe Valbona Mezini, mësohet të jenë konfrontuar verbalisht për situatën e brendshme në Partinë Demokratike dhe përgjegjësinë e lidershipit të partisë për rezultatin e marrë në zgjedhjet e 25 qershorit. Zërat që kërkuan një analizë të thellë dhe marrjen e përgjegjësive për humbjen në zgjedhje Lulzim Basha i quajti të nxitura nga Edi Rama.
“Përgjegjësinë time e mbaj, dhe e kam mbajtur para gjithë anëtarësisë së PD. Sulmet ndaj njeri-tjetrit i shërbejnë vetëm Edi Ramës. Çdo sulm pa fakte, me hamendësime ndaj PD dhe lidershipit, janë një shërbim me vetëdije që i bëhet Edi Ramës. Dolëm nga një luftë, nuk ishin zgjedhje por luftë, duhet të bashkohemi për betejat e ardhshme.”
Por Arben Imami një prej themeluesve të Partisë Demokratike iu përgjigj duke thënë se ai është i pabesueshëm kur flet për bashkim të Partisë Demokratike.
“Analizën ta ka bërë Berisha. Mjafton ti ta kuptosh. Pse nuk kishim nevoje për bashkim para 6 muajsh po kemi sot? Se ti vendose kështu. Unë jam i hapur për bashkim por duhet të japësh prova pse të besojmë?”
Basha tha më tej se ndryshimet statutore do të shërbejnë për vitalizimin, reformimin dhe demokratizimin e partisë, por anëtarë të kryesisë mësohet të kenë thënë se demokratët janë te demotivuar nga dështimi për të faktuar dhe dokumentuar blerjen dhe shitjen e votës në 25 Qershor.
“Duhet të ngrinim zërin dhe denoncimet për vjedhjen e votave. Demokratët janë të demotivuar. Nuk dokumentuam asgjë”, tha Jamarber Malltezi.
Në fund kryesia vendosi të lihet një afat 8 javor për kryerjen e analizës në grup-seksionet e partisë, ku gjithkush mund të depozitojë propozimet për ndryshimet në statut. /Tv Klan