Deklaratat e përfaqësuesit të lartë të BE, Joseph Borrell, në lidhje me Ukrainën dhe Izraelin, janë kundërshtuar nga Italia dhe Hungaria.

Në një takim në Bruksel ku priti ministrin e Jashtëm të Ukrainës, Borrell bëri thirrje që të hiqen kufizimet për përdorimin e armëve perëndimore që i janë dhënë Ukrainës, dhe kjo e fundit t’i përdorë në luftën ndaj Rusisë.

Po ashtu, Borrell propozoi sanksionimin e ministrave izraelitë që kanë lëshuar mesazhe urrejtje ndaj palestinezëve.

Por këto deklarata të tij janë kundërshtuar nga Italia dhe Hungaria.

“Kufizimi për Kievin në lidhje me armatimet italiane vazhdon të mbetet dhe ideja për të sanksionuar anëtarët e qeverisë izraelite është joreale”, u kundërpërgjigj ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani.

Reagim i ashpër erdhi dhe nga ministri i Jashtëm hungarez, Peter Szijjarto.

“Propozime të pamatura nga Brukseli si për Ukrainën ashtu dhe për Lindjen e Mesme. Tërbimi i rrezikshëm i përfaqësuesit të lartë duhet të ndalet. Nuk duam më shumë armë në Ukrainë, nuk duam më shumë vdekje, nuk duam përshkallëzim të luftës, nuk duam përshkallëzim të krizës në Lindjen e Mesme. Ne vazhdojmë të mbajmë një qëndrim paqësor dhe të arsyeshëm”.

Ndërkohë, agjencia italiane e lajmeve “Ansa” ka mësuar nga një burim diplomatik në BE se mund të ketë negociata Rusi-Ukrainë përpara zgjedhjeve presidenciale në SHBA. /tvklan.al