Protestat për tragjedinë në Tempi në Greqi ku humbën jetën 57 persona shumica studentë, kanë vijuar edhe këtë të premte në disa qytete kryesore në shtetin fqinj.
Mijëra studentë u mblodhën jashtë Universitetit të Athinës përpara se të marshonin drejt parlamentit, ku emrat e viktimave ishin shkruar në trotuar.
Protestuesit kërkojnë përfundim të shpejtë të hetimit dhe një proces të drejtë gjyqësor.
“Ne nuk do të ndalemi. Nuk mund të ndalemi. U detyrohemi familjeve të atyre që humbën jetën, të jemi këtu, sepse në Greqi hipni në një tren dhe nuk e dini se çfarë do të ndodhë. Ne jemi gjallë nga rastësia”, tha Ilias Kaliabakos.
Protestat e reja vijnë teksa në parlament do të votohet mocioni i mosbesimit kundër Kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis.
Ligjvënësit nga opozita, partia e qendrës së majtë PASOK dhe nga partitë e majta paraqitën një mocion mosbesimi kundër qeverisë gjatë një debati parlamentar mbi tragjedinë.
Me 156 vende në parlamentin prej 300 vendesh, qeveria e kryeministrit grek pritet t’i mbijetojë mocionit të mosbesimit.
Klan News