Një vend dikur i ndaluar për turistët britanikë është tani një destinacion kryesor i udhëtimeve.Kështu i referohet tabloidi britanik “The Mirror” vendin tonë që thekson se Shqipëria po tërheq shumë turistë të huaj. Për më tepër, plazhet e vendit janë vlerësuar si disa nga më të mirat në të gjithë Evropën.
Ksamili, një destinacion i rëndësishëm në rivierën shqiptare, është krahasuar shpesh me Maldivet nga përdoruesit e rrjeteve sociale dhe blogerët. I njohur për rërën e tij të bardhë dhe detin e kaltër Ksamili ofron gjithashtu çmime shumë të përballueshme. Ka një përzgjedhje të gjerë hotelesh dhe akomodimi alternativ, me disa dhoma që kushtojnë për vetëm 19 £ në natë.
Tabloidi britanik shkruan se qyteza e bukur bregdetare është ende relativisht e paprekur nga turizmi masiv. Destinacioni i njohur krenohet me Parkun Kombëtar të Butrintit dhe mikpritjen e veçantë të vendasve.
Pasi jep vlerësimet për Shqipërinë, media britanike jep informacion për fluturimet drejt vendit tonë.
Në shkrim theksohet se fluturimet drejt kryeqytetit shqiptar, nga Londra nisin nga rreth 70 euro. Tirana ia vlen të vizitohet për të shijuar një pushim të shkurtër në qytet. Me ndërthurjen e saj të së vjetrës dhe të resë, kryeqyteti shërben si një ndalesë e parë e shkëlqyer përpara se turistët të njihen në pjesën tjetër të vendit.
Klan News