Njerëz të panumërt mund të kishin humbur jetën në parkingun e qendrës tregtare të njohur Bonaire në Aldaja në Spanjë si rezultat i përmbytjeve masive.

Autoritetet ushtarake theksojnë se qendra tregtare mund të jetë kthyer në një varr masiv pasi poshtë saj ka 5800 poste parkimi të makinave.

Në momentin e përmbytjes të martën qendra ishte e hapur dhe se mendohet se mund të kenë qenë qindra njerëz.

Qasja nga shkallët lëvizëse brenda qendrës tregtare është groposur plotësisht nga mbetjet e rrënojave të rafteve dhe objekteve të marra nga forca e ujit.

Aksesi dhe dalja e parkingut nëntokësor me pamje nga rruga janë të përmbytura plotësisht, deri në majë. Mënyra e vetme për të hyrë është zhytja.

Shifra zyrtare e deri më tanishme e viktimave nga përmbytjet e shkaktuara nga Dana është 211 persona.

Krahas pasojave në jetë të humbura, përmbytjet kanë shkaktuar edhe dëme të mëdha në infrastrukturë, teksa disa qyteza janë të mbuluara nga balta, disa dhjetëra ura janë shkatërruar, ndërsa banorët kanë mbetur pa ujë, ushqime dhe energji elektrike.

Kjo ka ngjallur pakënaqësi tek banorët, të cilët akuzojnë qeverinë për një reagim të ngadaltë për përballimin e situatës.

Qeveria do të dërgojë 5 mijë ushtarë të tjerë në zonë, duke e çuar në 10 mijë numrin e forcave të armatosura të angazhuara për përballimin e situatës.

Tv Klan