Amerikanët në shtetin e Xhorxhias hodhën votën e tyre në zgjedhjet presidenciale të SHBA për të zgjedhur midis dy kandidatëve. Radhët e votuesve u krijuan edhe nëpër qendrat e votimit në Grand Rapids, Michigan.

Qarku Gwinnett, i cili përfshin disa periferi lindore të Atlantës, ishte një zonë tradicionalisht republikane, por së fundmi ka mbështetur kandidaten demokrate Kamala Harris.

Miçigan është një nga shtatë shtetet kyçe të fushëbetejës, ku zëvendëspresidentja e SHBA Kamala Harris po përballet me ish-presidentin amerikan Donald Trump.  

Kandidati republikan për zëvendëspresident, JD Vance hodhi votën e tij në Cincinnati, Ohio duke iu bashkuar miliona amerikanëve që ishin drejtuar drejt qendrave të votimit për të zgjedhur midis dy kandidatëve.

“Shpresojmë që të shkojë po aq mirë për mua dhe Presidentin Trump, siç shkoi për mua disa vjet më parë në shtetin e Ohios. Qëndrimi im është të përpiqemi të qeverisim vendin sa më mirë që të mundemi, të krijojmë sa më shumë prosperitet që të mundemi për popullin amerikan.”

Nëpërmjet një postimi në platformën X, ish-presidenti amerikan Donald Trump u shpreh se kjo është dita më e rëndësishme në historinë amerikane.

“Zyrtarisht DITA E ZGJEDHJEVE! Kjo do të jetë dita më e rëndësishme në Historinë Amerikane. Entuziazmi i votuesve është i madh sepse njerëzit duan ta bëjnë Amerikën përsëri të madhe. Së bashku, ne do të kemi një fitore të jashtëzakonshme dhe DO TA BËJMË AMERIKËN TË MADHE SËRISH!”

Gjithashtu edhe zv/ presidentja amerikane Kamala Harris u shpreh se: Trokisni në dyer. Thirrni votuesit. Kontaktoni miqtë dhe familjen. Së bashku, ne do të shkruajmë kapitullin tjetër të historisë më të madhe të treguar ndonjëherë.”

Ndërkaq votuesit në Pensilvaninë jugperëndimore iu drejtuan kutive të votimit që në orët e para të së martës.

“Ne nuk duam të flasim për Trump. Unë nuk jam një mbështetës i Trump. Për Kamala Harris, sigurisht, mund të themi shumë për Kamalën. Për mua, ajo është një grua fenomenale.  Ajo do të bëjë histori për botën nëse fiton.”

Fushata e Trump ka treguar se ai mund të shpallë fitoren në natën e zgjedhjeve edhe pse miliona fletë votimi ende nuk janë numëruar, ashtu siç bëri katër vjet më parë.

Klan News