Vllaznia do të luajë në transfertë kundër Bylisit në sfidën hapëse të javës së 15 të Kategorisë Superiore.
Trajneri i kuqebluve, Thomas Brdaric parashikon një përballje të fortë dhe kërkon kujdes nga lojtarët e tij. Objektivi për shkodranët është fitorja. Ndërsa analizon takimin e radhës, Brdariç ka edhe një urim për shqiptarët.
“E urojmë Shqipërinë për Pavarësinë! Kjo është një ndeshje ndryshe nga ajo e zhvilluar fazën e kaluar në stadiumin “Loro Boriçi”. Ata kanë marrë një trajner me shumë përvojë si Nevild Dede në kampionat dhe që di ta përgatisë ekipin. I kemi cilësitë dhe stilin e lojës, na pret një ndeshje e vështirë dhe duhet të jemi të fokusuar për 90 minuta. Duhet të kemi balancë në sulm dhe mbrojtje, e të jemi fizikisht dhe psikologjikisht të përgatitur e të disiplinuar, sidomos në mbrojtje!”
Vllaznia është e dyta në renditje me 25 pikë, 2 më pak se sa Partizani kryesues. Ndërsa Bylisi gjendet në vend të fundit me 10 pikë.
Shkodranët vijnë pas fitores me Teutën, kurse ballshiotët kanë dy humbje radhazi në kampionat.
Klan News