Humbja ndaj Bylisit shpresohet të kalohet sa më shpejt te Vllaznia. Shkodranët sfidojnë këtë mesjavë Dinamon, me misionin për të arritur 3 pikët e plota ndaj një rivali tepër të fortë në letër. Trajneri, Thomas Brdariç ka vlerësuar skuadrën nën drejtimin e teknikut Ilir Daja dhe ndaj kryeqytetasve shpresojnë të jenë sa më efektiv.
“Objektiv të mbetemi të pamposhtur në Shkodër. Të gjithë e dinë se dua të fitoj çdo ndeshje, nuk ka lidhje me cilin ekip po luan. Dinamo ka pasur vazhdimësi të mirë rezultatesh, ato do të vijnë këtu me pretendimin për të marrë pikë. Duhet t’i tregojmë fytyrë të mirë, që luajmë në shtëpi dhe kemi ndeshjen në kontroll. Na duhet për këtë shumë përkushtim dhe për t’i përballuar në mënyrë sa më profesionale. Shkojmë për të gjithë pikët në Shkodër, çdo ndeshje është një betejë dhe ka mënyrën e vet të implementimit të lojës. Shpresoj të jemi të gjithë të gatshëm dhe besoj është e mundur,” tha trajneri i Vllaznisë.
Tekniku Brdariç pranoi që skuadra do të aplikojë një stil loje ku hapësirat për kundërshtarët të jenë të vogla.
“Duhet t’i parandalojmë duelet në mbrojtje, mos t’i japim Dinamos mundësi që të dalë nga presingu jonë. Për këtë duhet të jemi të përgatitur psikologjikisht dhe fizikisht. Besoj se mund të fitojmë. Shpresoj të jemi të gjithë të gatshëm dhe besoj është e mundur. Është mirë të kemi pak presion, na duhet tensioni i duhur. Të jemi të përqendruar deri në maksimum, të jemi të disiplinuar dhe në fund të kemi dëshirën për të fituar,” u shpreh Thomas Brdariç.
Pas 15 javësh, Vllaznia numëron 25 pikë në vendin e tretë, ndërsa Dinamo i katërti me një pikë më pak.
Klan News