Rasti i 6-vjeçares së mitur të dhunuar në mënyrë të përbindshme nga babai i saj pritet ende të marrë përgjigje, zgjidhje, trajtim, por mbi të gjitha, vajza t’i shpëtojë rrezikut që i kanoset për jetën.
Nga ana tjetër, ngjarja nuk është e rastësishme. Pediatrja Lira Gjika, një nga të ftuarat e emisionit “Rudina” në Tv Klan, e mendon si një problem që vjen nga prindi, i cili duhet t’i shpjegojë masën e sigurisë së tij fëmijës. Për këtë, pediatrja ka një këshillë për prindërit.
Rudina Magjistari: Si duhet të komunikohet me fëmijën? Si duhet ta rrisim atë për t’i shpjeguar pak idenë e edukatës seksuale, prindi vetë, çfarë duhet të ketë parasysh në mënyrë që fëmija të kuptojë kur një veprim, qoftë edhe nga prindi, nga babai, është i tepruar, pra ka kaluar masa? Si i shpjegohet masa fëmijës?
Lira Gjika: Kam një jetë që luftoj për këtë. Nuk duhet prekur fëmija pa leje. Edhe nëna, edhe babai do t’i thonë fëmijës 1 vjeç, 2 vjeç, “të të puth pak?”. Po tha fëmija “po”, puthe, po tha fëmija “jo”, “më fal, të bezdisa, faleminderit” dhe ik. Ne këtë lloj etike e quajmë budallallëk. Po nuk filloi nëna dhe babai të respektojë fëmijën e vet si një person më vete, si një njeri tjetër, kur do e mësojë fëmija? Po s’ta tha nëna dhe babai, kurdo që ti ta mësosh është si një këmishë e veshur, pastaj është në dorë të zotit dhe elasticitetit të trurit./tvklan.al