Lajme Arkiva 2003
I mituri: Na thyente gishtat, na godiste dhe me shkop, pse nuk bënim më shumë lekë. Unë nuk i kaloja dot 200 mijë Lekë në muaj. Aq nxirrja 150 Lekë dita. Më futi frikën.
Gazetarja: Si ta futi frikën?
I mituri: Mori thikën më gjuajti në kofshë.
Gazetarja: Kush të mjekoi atje?
I mituri: Në spital.
Gazetarja: Të pyetën autoritetet si ndodhi?
I mituri: I tha ai doktoreshës greke i gjuajta unë, se më nxehu.
Shfrytëzimi dhe torturat për këtë të mitur dhe motrën e tij 8 vjeç fillojnë nga fatkeqësia e të qenurit 2 nga shtatë fëmijët e një familje tejet të varfër. Babai i tyre tregon se i madhi i djemve ka lindur i sëmurë nga zemra. Për ta operuar mjekët e spitalit shtetëror kanë kërkuar aq para sa familja që jeton me 40 mijë Lekë të vjetra, nuk mundi ti siguroj kurrë.
Babai i viktimës: Që kur lindi ishte i bllokuar djali, erdhi doktori më tha që është i bllokuar djali juaj.
Gazetarja: Çfarë duhej që të operohej djali juaj?
Babai i viktimës: Ata më thanë që duheshin 2 milionë Lekë. unë nuk i kisha.
Gazetarja: Çfarë bëtë ju për ti gjetur lekët?
Babai i viktimës: Unë nga e keqja, më erdhi ky Dani që i ka marrë fëmjët. Më tha kam ardhur për fëmijë. Unë i thash i kam dy fëmijë, po se dija lypin a s’lypin.
Dy fëmijët e familjes nisen për në Greqi, prindërit gënjehen se motër e vëlla do të punojnë si shitës ambulantë dhe se me paratë e punës së tyre do të mund të operohet djali i madh. Trafikimi dhe shfrytëzimi i të miturve sanksionohet jo më pak se 15 vjet burg, por familja e varfër ka frikë të denoncojë personin që plagosi dhe rrezikoi jetën e dy të miturve.
Ky i fundit është arrestuar tashmë nga zyra antitrafik e Policisë Elbasan. Pas një bashkëpunimi në ndihmë nga zyra e qytetarëve dhe policia e qarkut u bë e mundur që brenda pak ditësh të mblidhen dhe të trajtohen juridikisht 10 raste fëmijësh apo invalidësh të shfrytëzuar në Athinë dhe në Selanik.
Kreshnik Spahiu: Zyra është palë gjithmonë me viktimën me fëmijën, vajzën, apo të moshuarin që është trafikuar duke asistuar me mbrojtje ligjore bëhet e mundur që dëshmia e tyre të jetë e vlefshme dhe të marrë konsideratat e një prove që të bëjë të mundur vënien në bankën e të akuzuarve të trafikantëve. Fenomeni i shitjes së vajzave si punëtore seksi rrugëve të perëndimit, apo i fëmijëve dhe të moshuarve si lypës në këto rrugë manifeston qartë një krizë të thellë të familjes dhe të shoqërisë shqiptare.
Rasti i një të mituri po nga Elbasani që tashmë ndodhet nën kujdesin e një qendre në ndihmë të fëmijëve me probleme dëshmon më së miri krizën e këtyre familjeve. Prindërit e 13-vjeçarit nuk e kishin regjistruar kurrë në gjendjen civile.
I mituri: 33 rrugë në këmbë.
Gazetarja: U lodhët?
I mituri: Po prandaj kam inat të iki në Greqi prapë, se lodhesh.
Gazetarja: Sa ishin me ju?
I mituri: Sa të duash kishte, lypnim. Kishte që kishin ndonjë krah të prerë, s’kishin këmbën, unë s’kisha problem as me duar e as me këmbët. Ata që më jepnin më jepnin.
Gazetarja: Të tjerët ishin sakat, s’kishin duar?
I mituri: Njëri nga lagja ime kishte këmbën e shtrembët, ashtu kishte lindur. Ky nga Rrogozhina kishte prerë këmbën.
Gazetarja: Kujt ia jepnin lekët? Të njëjtit person që ia jepnit edhe ju?
I mituri: Po.
Gazetarja: Po pse? Ai ishte i rritur? S’mund ti mbante për vete lekët?
I mituri: Jo, se i vidhte mafia.
Me tu kthyer në Shqipëri zyra në ndihmë të qytetarëve bëhet përfaqësuesi ligjor i të miturit, i cili muajt e shfrytëzimit në Greqi tashmë do ti dëshmojë edhe në gjykatë, ku pritet të dënohet edhe tutori i tij./tvklan.al