Qeveria shqiptare është në bashkëbisedim me përfaqësues të TikTok, për të gjetur mënyrën që kjo kompani të vendosë filtra për përdorimin e saj nga të rinjtë.

I vendosur në rolin e të intervistuarit në një podcast të dy studenteve të Departamentit të Gazetarisë, Kryeministri Edi Rama sqaroi se për momentin nuk ka zgjidhje tjetër veç mbylljes së platformës.

“Mendoj se për momentin nuk kemi një zgjedhje tjetër ndërkohë jemi në një dialog me TikTok. Kemi parashtruar shqetësimet tona. E mira është që ata nuk kanë qenë refraktarë ndaj këtyre shqetësimeve. Dhe kemi rënë dakord në një kohë të arsyeshme, kur të jenë gati, do të na paraqesin disa propozime për të adresuar këto shqetësime”.

E një nga këto pika që kërkohet të adresohet është filtri në gjuhën shqipe.

“Një nga pikat është që TikTok nuk e ka filtrin për gjuhën shqipe. Nëse në një gjuhë tjetër disa fjalë që nuk duhen përdorur nuk mund të zënë hapësirën virtuale, në shqip, duke mos qenë filtri ato kalojnë. Kam përshtypjen se edhe pse është një sfidë të vetme për t’i mundur të rinjtë të këtë fushë, një VPN e një shteti tjetër nuk do ta kenë të lehtë. Megjithatë kurrë mos thuaj kurrë me këtë brez që po na vjen”, u shpreh Rama.

Një sfidë për Kryeministrin Rama mbetet lufta kibernetike, edhe pse pohoi se në Shqipëri nuk ka interesa aq të mëdha sa të jetë në fokus të sulmeve të egra kibernetike.

“Ne duhet të jemi në gjendje për aq sa na takon. Nuk kemi në këtë vend interesa të mëdha që të mund të tërheqim të gjithë llojet e egërsirave të kësaj hapësire të padukshme, por duhet të jemi në gjendje t’i zmbrapsim, mundësisht plotësisht. Amerika, me një mbrojtje kibernetike të lartë dhe në mënyrë të vazhdueshme ka goditje që arrijnë ta prekin, t’i bëjnë dëm në infrastrukturën publike apo private”.

Po ashtu nuk munguan as batutat mes Kryeministrit dhe studentëve të gazetarisë në lidhje me stilin e veçantë të veshjes.

“Kravata është ishulli i fundit i lirisë që më ka mbetur. Më kujtohet kur unë u bëra kryetari i PS, të nesërmen shkova në zyrë, atje ishte Pandeli Majko. Unë shkoj te zyra e Pandit dhe i them ‘ti ishe kundër meje, por ne duhet të punojmë bashkë’. Ai më tha ‘shko hiq çorapet e kuqe dhe më pas martohu”.

Kryeministri ishte këtë të martë në laboratorin e Integruar të Mediave Dixhitale në Departamentin e Gazetarisë që i nënshtruar një investimi që synon të krijojë një standard të ri për kërkimin dhe mësimdhënien në fushën e komunikimit dhe mediave digjitale.

Ky laborator do të ofrojë mbështetje për studentë dhe pedagogë të këtij departamenti.

Klan News