Çfarë bëni kur shëtisni? Dëgjoni muzikë apo një ‘podcast’ të mirë? Bisedoni me zërin brenda kokës suaj? Mendoni për ditën? Tani shëtitjet mund të bëhen edhe më të bukura falë një trendi që ka arritur mbi 11 milionë postime në TikTok të quajtur “shëtitja e ngjyrave”.
Ideja është shumë e thjeshtë. Mendoni një ngjyrë, nisuni dhe përqendrohuni për të gjetur objekte që mbajnë ngjyrën që menduat. Nëse kërkoni për ngjyrën rozë, mund të shihni një tabelë rozë, dikë që ka veshur një pulovër me atë ngjyrë apo derën e një shtëpie.
Thuhet se kërkimi për një nuancë të caktuar ndihmon që të qëndroni të përqendruar dhe të lehtësojë ankthin.
Prerna Menon, një psikoterapiste thotë se “shëtitja e ngjyrave” ndryshon nga e zakonshmja. “Një shëtitje ngjyrash është e veçantë sepse e aktivizon sistemin nervor në një mënyrë që shëtitja e zakonshme nuk e bën”.
Në vend që të merreni me celularin, të mendoni për ngjarje që ju stresojnë apo thjesht të shkoni në shtëpi, Menon thotë se një shëtitje ngjyrash ju bën të ngrini kokën dhe të shihni çfarë ju rrethon.
“Ju nuk bëheni autopilot, por vendoseni në sediljen e shoferit të mendjes suaj. Ju përdorni shqisat dhe lini pas shpërqendrimet duke aktivizuar sistemin nervor që të qetësohet e pushojë”.
Nëse doni që të bëni më shumë hapa gjatë ditës, kjo shëtitje mund t’ju motivojë. Që ta ktheni në një zakon, mund të kërkoni një ngjyrë të ylberit çdo herë që dilni nga shtëpia.
Trendi është edhe argëtim. Ju mund të ktheheni në eksplorues të qytetit tuaj dhe të shkrepni foto të vendeve që ndoshta më parë s’u kishit kushtuar vëmendje.
Menon thotë se shëtitja e ngjyrave shëron edhe fëmijën brenda nesh pasi nxit kureshtjen, lojën dhe lumturinë./tvklan.al