Autoritetet kineze po shqyrtojnë mundësinë që Elon Musk të blejë TikTok në rast se platforma popullore ndalohet në Shtetet e Bashkuara deri në fund të javës. Sipas agjencisë Bloomberg, ky propozim është ende në një fazë paraprake ku po shqyrtohen disa hipoteza dhe nuk është marrë ende asnjë vendim. Nëse shitja do të realizohej, me siguri do të kishte polemika të ashpra. “Sipas një skenari të parashikuar nga qeveria kineze, platforma X do të merrte kontrollin e TikTok-ut amerikan dhe do t’i menaxhonte të dyja kompanitë së bashku”, shkruan Bloomberg.

Me më shumë se 170 milionë përdorues në SHBA, TikTok mund të forcojë përpjekjet e platformës X për të tërhequr reklamues. Mes të tjerash Bloomberg shkruan se Musk është një ndërmjetës i besueshëm, pasi ka interesa të mëdha dhe fabrikën kryesore të Teslës në Kinë dhe qeveria e Xi Jinping, nëse do të heqë dorë nga TikTok, do ta bëjë këtë si pjesë e një negociate më të gjerë me Trump, nga i cili ka frikë veçanërisht për hakmarrjet tregtare: tarifa të larta doganore që ka kërcënuar disa herë.

Marrëdhënia e ngushtë e Elon Musk me Trump mund ta vendosë atë në një pozicion të mirë për të marrë drejtimin. Blerja e TikTok do të përshtatej me vizionin e Muskut për të krijuar një platformë gjithëpërfshirëse duke zgjeruar aftësitë e X. Projektligji për ndalimin ose shitjen e TikTok gëzon mbështetje dypartiake në Uashington. Ndërhyrja e Trump ka të ngjarë të mos synojë përmbysjen e plotë të ligjit, por lehtësimin e shitjes tek blerësi i dëshiruar.

Gjyqtarët e Gjykatës së Lartë do të vendosin mbi një ligj që cakton një afat më 19 janar për TikTok që ose të shesë operacionet e tij në SHBA ose të përballet me një ndalim në vend. Gjatë një seance dëgjimore në Gjykatën e Lartë javën e kaluar, gjyqtarët u dukën të prirur për të mbështetur legjislacionin dhe për t’iu përmbajtur afatit. Nëntë gjyqtarët iu rikthyen herë pas here shqetësimeve të sigurisë kombëtare që shkaktuan ligjin.

Administrata Biden ka argumentuar se nëse nuk shitet, TikTok mund të përdoret nga Kina si një mjet për spiunim dhe manipulim politik. Kompania ka mohuar në mënyrë të përsëritur çdo ndikim nga Partia Komuniste Kineze dhe ka thënë se ligji për ta ndaluar atë në SHBA shkel të drejtat e lirisë së shprehjes.

Klan News