Asnjë skuadër nuk hyn në fushë për të barazuar, por ky rregull po ‘thyhet’ te Tirana. Bardheblutë koleksionuan barazimin e 12-të në 17 ndeshjet e zhvilluara deri më tani në Superligën shqiptare, duke vendosur padyshim një rekord në këtë aspekt. Skuadra e Gugash Maganit u ndal këtë herë nga Teuta, për të zgjeruar kështu një ecuri që duket e vështirë për tu ndryshuar.

Një bilanc i pabesueshëm i bardhebluve, të cilët regjistruan të katërtin radhazi, e mbi të gjitha, të tretin pa shënuar gol. Fitorja ndaj Bylisit me katër gola, e cila ishte e dyta në këtë sezon u duk se do rikthente Tiranën pretendente për zonën final-four, por ndaj Elbasanit, Partizanit, Skënderbeut e Teutës, skuadra nuk dha shkëndijat për tu rikthyer te pikët e plota.

Madje në derbin ndaj Partizanit, kryeqytetasit shpërdoruan edhe një penallti, ku sipas gjasave do i jepte fitoren dhe do ndryshonte jo pak rrjedhën e sezonit.

Në 9 ndeshjet e fundit në Superligë, bardheblutë kanë regjistruar 1 fitore, 6 barazime dhe 2 humbje. Lajm i mirë në këtë pikë është sulmi. Tirana ka shënuar deri më tani 18 herë, kundrejt 17 golave të pësuar. Peshën kryesore e mban Valid, autor i 5 rrjetave, duke qenë edhe golashënuesi i skuadrës.

Tashmë fokusi për bardheblutë do të jetë në sfidën e radhës, derbin me Dinamon. Si për ironi, edhe sfida e raundit të shkuar ka përfunduar në barazim pa gola. Gjithsesi, skuadra e Ilir Dajës nuk po kalon moment të mirë, për të rritur urinë e Tiranës për një rezultat pozitiv.

Klan News