13 oficerë burgjesh janë arrestuar dhe 8 të tjerë janë pezulluar në Itali me urdhër të Prokurorisë së Milanos pasi akuzohen për tortura, shpërdorim detyre dhe dhunë seksuale në burgun e të miturve në Beccaria.
“Kjo është një çështje e dhimbshme dhe faqe e zezë për institucionet tona, por duhet të sigurohet respektimi i ligjit”, tha prokurori i Milanos, Marcello Viola gjatë një konference për shtyp ku dha detaje për operacionin që çoi 13 punonjës policie pas hekurave.
Krimet e ndryshme të konstatuara që nga viti 2022 e deri më sot dhe të përsëritura me kalimin e kohës ndaj disa të burgosurve të mitur, janë ato të keqtrajtimit të të miturve, bashkëpunim në tortura, bashkëpunim në plagosje të të miturve, shpërdorim detyre, si dhe tentativë për dhunë seksuale nga një oficer ndaj një të burgosuri.
“La Repubblica” raporton se hetimet e kanë pasur zanafillën nga disa raportime të institucioneve publike si dhe nëpërmjet Garantuesit të të Drejtave të Personave të Privuar nga Liria Personale, që ka mbledhur ankesat e nënave të të burgosurve, psikologët në shërbim të burgut dhe ish të burgosurit.
Për zhvillimin e hetimit u përdorën shërbime të ndryshme teknike të përgjimit si dhe marrja e kamerave brenda institucionit që bënë të mundur mbledhjen e provave për episode të ndryshme dhune ndaj të miturve të burgosur./tvklan.al