Zbardhen detaje të reja nga grupi i cili merrej me trafikimin e armëve nga Turqia në Kosovë në vendin tonë dhe më pas në vendet e BE-së.

Burime bëjnë me dije për Klan News se gjithçka ka nisur pas informacioneve që kishte marrë policia për një grup në Snapchat që dyshohet se kryente aktivitetin e paligjshëm të trafikut të armëve të kalibrave të ndryshëm.

Hetuesit kanë nisur procedimin penal që në fillim të vitit, por kanë pasur akses në grupin e të dyshuarve në fillim të Shkurtit 2024.

Burime bëjnë me dije se një pjesë e pistoletave të cilat ishin sportive dilnin me dokumentacion të rregullt nga Turqia dhe mund të vinin në vendin tonë ose të shkonin në Kosovë.

Aty më pas bëheshin modifikime dhe nga armë sportive ktheheshin në armë për të bërë qitje.

Hetimi ka zbuluar se në disa raste një pistoletë shkëmbehej me 20-30 gram kokainë, në bazë të cilësisë.

Kishte raste kur shtetasit kosovarë vinin në vendin tonë, sillnin pistoletën dhe merrnin lëndën narkotike ose në raste të tjera kokaina dërgohej nga të dyshuarit nga Shqipëria, në Kosovë dhe bëhej shkëmbimi me pistoletën e modifikuar.

Dyshimet e hetuesve janë që duke qenë se pistoletat kishin dokument shoqërues si armë sportive, ka qenë më e thjeshtë kalimi i tyre nga Kosova drejt vendeve të BE-së. 

Agjencitë ligjzbatuese të vendin tonë dhe të Kosovës kanë përdorur të gjitha metodat speciale të hetimit për të goditur grupin e trafikantëve. 

Në disa raste janë bërë blerje të stimuluara dhe në raste të tjera ka pasur agjentë të infiltruar që kanë bashkëpunuar me trafikantët.

Policia e Kosovës ka edhe përgjime telefonike të të dyshuarve. 

Të shtunën, Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurimit arrest në burg për 5 të arrestuarit në vendin tonë, ndërsa për Euxhenio Manushin pritet që seanca për caktim të masës së sigurimit të bëhet gjatë ditëve në vijim. 

Klan News