Grupi prej 23 personash që u arrestua nga Policia e Tiranës në bashkëpunim me atë kosovare, këmbenin një armë zjarri tip pistoletë me 25-30 gram kokainë.

Shefi i sektorit i hetimit të narkotikëve dhe trafiqeve në Policinë e Tiranës, tregon se këmbimi kryhej në varësi të armës së zjarrit.

“Për pjesën e sasisë së lëndës narkotike varet nga lloji i armës, nga cilësia e armës, marka, por kryesisht për një armë zjarri pistoletë ka qenë diku 25-30 gram kokainë”, thotë Arben Zemani.

Sipas policisë, në bashkëpunim me autoritetet kosovare të koordinuar nga Europol dhe Eurojust, po hetohen individët apo grupet kriminale që interesoheshin për blerjen e armëve të zjarrit pasi futeshin në Shqipëri.

“Një pjesë e këtyre armëve kishin si destinacion final tregun në Shqipëri. Në disa raste ka pasur edhe tentativa për ta trafikuar jashtë Shqipërie. Hetimet për këtë çështje do të vazhdojnë për të zbuluar edhe persona ose grupe të tjera që kanë qenë të interesuar për blerjen e këtyre armëve”.

Në total në Shqipëri dhe Kosovë u sekuestruan 64 armë zjarri dhe mbi një kilogramë kokanë, të cilat trafikoheshin përmes autobusëve të linjës Prishtinë- Tiranë dhe anasjelltas.

Tv Klan