Një 36-vjeçar me inicialet R.M, në Kurbin ka rënë në prangat e policisë, pasi dyshohet se i ka vënë zjarrin një mobilierie në fshatin Gjormë.

Sipas asaj që bën të ditur policia, mobilieria ishte në pronësi të 52-vjeçarit A.SH dhe se nga zjarri janë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.  

Ndërkohë blutë kanë sekuestruar pjesë veshjesh të djegura, që dyshohet se i ka mbajtur autori, gjatë ngjarjes, si dhe celulari i tij.    

Siç duket edhe në videon e policisë autori ka pësuar djegie në trup, teksa ka tentuar t’i vendosë flakën mobilierisë.

Korrespondenti i Klan News Martin Marku raporton se burime kofindenciale nga grupi hetimor bëjnë me dije se 36-vjeçari ka qenë para disa vitesh punonjës në këtë mobileri dhe se shkak i zjarrëvënies dyshohet disa borxhe të pashlyera nga ana e administratorit të këtij biznesit.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”./tvklan.al