Dhuna në familje shkakton tragjedi në Shkodër. Nëna dhe tre fëmijët hidhen në lumin Buna. Gjendet e pajetë vajza 9-vjeçare ndërsa polumbarët dhe forcat Renea vijojnë kërkimet për gjetjen e trupit të Alma Arazajt dhe dy fëmijëve të tjerë të saj.

Kërkimet nuk kanë rreshtur që prej mbrëmjes së të shtunës kur një peshkatar gjeti trupin e pajetë të vajzës 9-vjeçare në zonën e Darragjatit dhe njoftoi policinë për ngjarjen.

Polumbarët po përpiqen të gjejnë gjurmë të të zhdukurve përgjatë shtratit të lumit Buna deri në Velipojë.

Për ngjarjen Policia e Shkodrës ka vënë në pranga bashkëshortin e 39-vjecares, 31-vjeçarin Ergys Arrazaj. Prangosja e tij u bë pas deklaratës së motrës së Alma Arrazajt në polici se ai dhunonte fizikisht dhe psikologjikisht bashkëshorten e tij dhe tre fëmijët.

Vetë 31-vjeçari është treguar i ftohtë para hetuesve kur mori vesh se vajza e tij 9-vjeçare është gjetur e pajetë.

Mësohet se nëna dhe 3 fëmijët e saj kishin qenë duke konsumuar kafe me familjarë të tjerë. Më pas 39-vjeçarja ka marrë dy vajzat dhe djalin dhe është hedhur bashkë me ta nga ura e vjetër e lumit Buna.

Klan News