Trajneri i Borussia Dortmundit Nuri Sahin mendon se numri vazhdimisht në rritje i ndeshjeve është kthyer në një barrë të madhe për lojtarët që luajnë gjithashtu për ekipet e tyre kombëtare, pasi po shton numrin e lëndimeve. Verdhezinjtë do të përballen me Barcelonën në mbrëmjen e së mërkurës në Ligën e Kampioneve, ndërsa ekipi ka vuajtur nga dëmtimet.
Tekniku i Borussias tha në konferencën për shtyp se kalendari i ngjeshur është kthyer në problem.
“Ky nuk është një justifikim! Nuk jam duke kërkuar për një të tillë, por është fakt që veçanërisht për lojtarët e kombëtares barra është pothuajse e padurueshme. Sepse dje për shembull, ne planifikuam sezonin me Kupën e Botës për Klube që mbahet në muajt qershor-korrik dhe nuk e di se kur Kobel duhet të shkojë me pushime. Unë mendoj se për ne si lojtarë është e rëndësishme të gjejmë rrugën e duhur për të rigjeneruar shpejt trupin dhe për të kthjelluar mendjen. Të qenit i qetë është shumë e rëndësishme! Me të gjitha udhëtimet dhe ndeshjet që bëjmë, duhet të kthellojmë mendjen që të mbetemi të freskët për të luajtur mire në sfidën e radhës.”
Formatet e zgjeruara të Ligës së Kampionëve dhe të Kupës së Botës për Klube, përveç shtimit të angazhimit me kombëtaret, kanë krijuar një numër më të madh ndeshjesh për futbollistët më të mirë.
Botërori i radhës për klube në SHBA, në të cilin do të marrin pjesë 32 ekipe do të zgjasë nga 15 qershori deri më 13 korrik 2025, e kjo do të shkurtojë pushimet verore të lojtarëve edhe pse nuk do të ketë asnjë event ku dotë angazhohen me kombëtaret e tyre.
Vetëm pak javë pas përfundimit nisin kamionatet, e në vazhdim, eventi i radhës do të jetë Botërori 2026, me numëm më të madh të ekipeve pjesëmarrëse, që do të organizohet nga SHBA, Kanadaja dhe Meksika. FIFA në lidhje me çështjen ka thënë se ky format i zgjeruar është i domosdoshëm, ndërsa për UEFA-n, vetëm një pakicë futbollistësh do të preken nga mbingarkesa.
Klan News