Trajneri i Kosovës, Franco Foda, foli në konferencë për shtyp, në prag të dy ndeshjeve në Ligën e Kombeve, ndaj Rumanisë dhe Qipros.

Tekniku i dardanëve, u shfaq besimplotë për rezultat pozitiv, ndërsa tha se objektiv është vendi i parë në grup.

Foda deklaroi se lojtarët e grumbulluar janë në formë të jashtëzakonshme në këtë fillim sezoni.

“I kemi përfunduar miqësoret dhe po përgatitemi për edicionin e ri të Ligës së Kombeve. Të gjithë lojtarët janë në formë të mirë. Për ndeshjen e parë në shtëpi jemi shumë të motivuar dhe të lumtur, prandaj do të bëjmë gjithçka që kundër Rumanisë të arrijmë fitore.

Është jashtëzakonisht e mirë kur ke kaq shumë lojtarë në formë dhe ke mundësi të zgjedhësh. Në ndeshjet e kaluara nuk kemi shënuar aq shumë gola, por tani kemi në dispozicion lojtarë si Muriqi, Rrahmani, Zhegrova dhe Asllani. Ata kanë shënuar me skuadrat e tyre dhe shpresojmë që të shënojnë edhe me Kosovën.

Qëllimi më i rëndësishëm për ne është që ta fitojmë ndeshjen e parë. Sigurisht se objektivi ynë është që të fitojmë ndeshjet dhe të jemi të parët në grup.”, deklaroi Foda.

Kosova përballet me Rumaninë në shtëpi me 6 shtator, ndërsa tre ditë më vonë sfidon Qipron në transfertë. Pjesë e grupit të dardanëve në Ligën e Kombeve, është edhe Lituania. /tvklan.al