Kompania diskografike e këngëtares së ndjerë, Sinead O’Connor i ka kërkuar Donald Trump që të ndalojë përdorimin e muzikës së saj në mitingjet e tij politike. Muajin e kaluar, Trump zgjodhi këngën më të njohur të O’Connor, “Nothing Compares 2 U”, në një event fushate në Maryland.
Kompania diskografike tha për BBC News se nuk do të ishte ekzagjerim po të thuhej se Sinéad do të ishte neveritur, lënduar dhe fyer nga përdorimi i muzikës së saj nga Trump.
“Gjatë gjithë jetës së saj, Sinéad O’Connor jetoi në bazë të një kodi moral të përcaktuar nga ndershmëria, mirësia, drejtësia dhe mirësjellja ndaj të tjerëve. U zemëruam kur mësuam se Donald Trump ka përdorur performancën e saj ikonë të “Nothing Compares 2 U” në mitingjet e tij politike. Nuk është ekzagjerim të thuhet se Sinéad do të ishte neveritur, lënduar dhe fyer nëse puna e saj do të keqinterpretohej në këtë mënyrë nga dikush që ajo vetë e quajti një “djall biblik”, thuhet në deklaratë.
Më tej, ata kërkojnë që Trump dhe bashkëpunëtorët e tij të heqin dorë në mënyrë të menjëhershme nga përdorimi i muzikës së O’Connor.
“Si kujdestarë të trashëgimisë së saj, ne kërkojmë që Donald Trump dhe bashkëpunëtorët e tij të heqin dorë nga përdorimi i muzikës së saj menjëherë”.
O’Connor vdiq Korrikun e kaluar në moshën 56-vjeçare. Një mjek më vonë deklaroi se ajo vdiq nga shkaqe natyrale.
Ndërkohë, Trump shërbeu si presidenti i 45-të i SHBA-së pasi fitoi zgjedhjet e vitit 2016, por ai humbi ndaj Presidentit Biden në vitin 2020. Trump kandidon për të qenë kandidati presidencial republikan përpara zgjedhjeve amerikane në Nëntor./tvklan.al