Qeveria ka vendosur në mbledhjen e sotme që të paguajë të gjithë detyrimet e prapambetura për punonjësit e uzinës mekanike të Poliçanit.
Ministri i Mbrojtjes pranon se kjo uzinë si dhe ajo e Gramshit dhe e Mjekësit janë pjesë e projektit të qeverisë për t’i rikthyer në aktivitete prodhuese përmes investimeve private ku shteti të jetë aksioner. Peleshi pranon se në bashkëpunim me zyrën e prokurimeve të NATO-s është bërë dhe një vlerësim i gjendjes së tyre.
“Që të dimë më mirë se çfarë kemi, sa është vlera dhe sa investime do duhen për ta rivënë në punë. Ne duam të ndryshojmë qasjen nga shqipëria 1 euro, tek Shqipëria partnere në çdo investim”, tha Peleshi.
Në mbledhjen e kësaj të mërkure qeveria ka miratuar ashpërsimin e kritereve për licencimin e tregtimit të fishekzjarreve. I pyetur, Balla iu përgjigj dhe deklaratave të kreut të SPAK-ut për dekonspirime në disa raste të operacioneve nga policia.
“Më rezulton që nuk kemi asnjë operacion të përbashkët që të ketë pasur rrjedhje të informacionit”, tha Balla.
Një tjetër vendim i kabinetit qeveritar ishte dhe krijimi i një Këshilli Teknik brenda Këshillit Konsultativ Qeveri-Pushtet Lokal.
“Në mënyrë periodike çdo muaj të kemi një takim midis të gjithë bashkive dhe kabinetit qeveritar”, tha ministri Arbjan Mazniku.
Në këtë këshill teknik do të konsultohet çdo vendimmarrje që ka lidhje me pushtetin lokal përpara se të miratohet në Këshillin e Ministrave.
Tv Klan