Donald Trump i besoi Tom Homan detyrën e rëndësishme në administratën e tij që të merret në emigracionin. Ndryshe, Homan po e konsiderojnë si “carin” e kufijve pasi ka për detyrë të kujdeset për këtë gjë. Ky i fundit është shfaqur në Fox News, një ditë pasi Trump e vendosi në “krye të kufijve të vendit”.
“Kam dëgjuar disa prej guvernatorëve demokratë që thonë se do të na dalin para dhe do ta bëjnë punën të vështirë për ne. Por ne do ta kryejmë gjithsesi këtë punë”, tha ai.
Sipas asaj që shkruan BBC, në mandatin e parë të Trump, demokratët përdorën një taktikë duke krijuar disa zona të njohura si qytete të shenjta. Por edhe për këtë, Homan e kishte një përgjigje.
“Nëse këto qytete nuk na ndihmojnë, atëherë të mos na pengojnë. Ne po vijmë”, tha ai.
Sipas Homan për të kryer një nga premtimet më të mëdha të Trump gjatë fushatës, deportimin më masiv të emigrantëve, një numër i agjentëve të pensionuar janë gati të rikthehen si vullnetarë dhe t’i bashkohen punës së tij. Dikur ai ka qenë Drejtor për Emigracionin dhe Doganat.
Por kjo punë nuk po vjen pa pasoja, për shkak edhe të rëndësisë që ka. Homan tha për Fox se familja e tij nuk ndodhet në shtëpi për momentin sepse kanë marrë kërcënime për vdekje.
“Është diçka që do na duhet të përballemi. Por nuk do ia dalin të më ndalojnë”, tha ai.
Homan duket i qartë për të realizuar premtimin e Trump për deportimin më masiv në historinë e Amerikës.
Për të nisur këtë proces, Homan thotë se do të shënjestrojë fillimisht ata për të cilët gjykatat federale kanë vendosur që duhet të largohen, por nuk kanë ikur.
“Keni të drejtë të kërkoni azil. Keni të drejtë të dilni në gjyq. Do ta mundësojmë këtë gjë. Por nëse gjykatësi thotë që duhet të shkoni në shtëpinë tuaj, ne do t’ju kthejmë në shtëpi”, tha ai./tvklan.al