Donald Tramp përfshin sërish Riçard Grenellin në administratën e tij. Ish-i dërguari i posaçëm i gjatë mandatit të parë presidencial të Trampit për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë në periudhën mes viteve 2019–2021 do të ketë sërish një post që sipas agjencisë “Reuters” do të mbulojë edhe tensionet në Ballkan.

Grenell emërohet i dërguar special i presidentit për misione të posaçme, siç njoftoi vetë Tramp në rrjetin social personal “Truth”. Presidenti i zgjedhur shkruan se Grenell do të punojë në disa prej pikave më të nxehta nëpër botë, përfshirë Venezuelën dhe Korenë e Veriut. Nuk lë pa përmendur faktin që në mandatin e tij të parë, Grenell ka qenë edhe i dërguar special për bisedimet Kosovë-Serbi.

Një nga arritjet më të mëdha të Grenellit në atë kohë ishte marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike që u konsiderua si hapi i parë i madh drejt fundit të konfliktit më shumë se 2 dekadësh mes vendeve.

Marrëveshja ku përfshihej edhe ndërtimi i autostradës Prishtinë-Beograd u la në hije pas fundit të mandatit të parë të Trampit.

Tv Klan