Në një dalje për gazetarët nga Shtëpia e Bardhë, Presidenti i SHBA Donald Trump u zotua të godasë Bashkimin Evropian me tarifa më të larta, duke përsëritur kështu deklaratat e bëra prej tij më herët.  

“Bashkimi Evropian është shumë, shumë i keq për ne. Kështu që ata do të jenë të interesuar për tarifat. Është e vetmja mënyrë, ju do të keni drejtësi”, iu drejtua Trump amerikanëve.

Presidenti i sapoardhur në detyrë njoftoi gjithashtu se administrata e tij po diskutonte një tarifë ndëshkuese prej 10% për importet kineze duke nisur nga 1 Shkurti.

Ai e justifikoi këtë masë me pretendimin se Kina po dërgonte fentanil në SHBA, nëpërmjet Meksikës dhe Kanadasë.

Këshilltari i Tregtisë Peter Navarro, deklaroi se kërcënimi i tarifave të Trump nga Kanadaja dhe Meksika ishte t’u bënte presion të dy vendeve që të ndalonin migrantët dhe drogat e paligjshme.

Presidentja meksikane Claudia Sheinbaum tha se ajo do të ruante sovranitetin dhe pavarësinë e Meksikës dhe do t’i përgjigjej veprimeve të SHBA “hap pas hapi”. 

Ndërkaq gjatë konferencës në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti amerikan riktheu edhe njëherë në vëmendje blerjen e platformës sociale TikTok nga miliarderi Elon Musk.

“Edhe unë do ta blija. Unë kam të drejtë të bëj një marrëveshje. Pra, ajo që po mendoj t’i them dikujt është ta blej atë dhe t’ia japim gjysmën Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe kështu ata do të kenë një partner të madh, Amerikën, dhe kjo është në fakt më e vlefshme”.

Bloomberg Neës raportoi javën e kaluar se zyrtarët kinezë ishin në bisedime paraprake për një opsion të mundshëm për t’i shitur operacionet e TikTok në Shtetet e Bashkuara te Musk, megjithëse kompania e ka mohuar këtë. Trump nënshkroi të hënën një urdhër ekzekutiv që kërkon të pezullojë me 75 ditë zbatimin e ligjit.

Klan News