Ukraina po del në krye të axhendës së politikës së jashtme të presidentittë SHBA-së, DonaldTrump dhe kësaj here iu drejtua drejtpërdrejt kreut rus. Në një deklaratë në mediat sociale Trumpi kërcënoi se Rusia do të përballet me “nivele të larta taksash, tarifash dhe sanksionesh” nëse presidenti Vladimir Putin nuk i jep fund luftës në Ukrainë.
Trump e fillon postimin duke shprehur “dashurinë” për popullin rus dhe “marrëdhënien e mirë” me Putinin dhe më pas lëshon një paralajmërim të drejtpërdrejtë “ndaloni këtë luftën qesharake!”
“Ne mund ta gjejmë zgjidhjen lehtë, ose në mënyrën e vështirë, por rruga e lehtë është gjithmonë më e mira,” shkroi ai në një postim në platformën Truth Social. “Nëse nuk arrihet një “marrëveshje” së shpejti, nuk kam zgjidhje tjetër veçse të vendos nivele të larta taksash, tarifash dhe sanksionesh për çdo gjë që Rusia u shet Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të tjera” shtoi ai.
Trump tha gjithashtu se i ka bërë trysni presidentit kinez Xi Jinping të ndërhyjë për ta ndaluar luftën në Ukrainë. Për kreun amerikan, ekonomia ruse është në gjendje shumë të keqe ndaj sipas tij tani është koha për marrëveshje.
Gjendjen e vështirë ekonomike dhe inflacionin jashtë kontrollit e pranoi jo drejtpërdrejt edhe presidenti Vladimir Putin. Gjatë një takimi për çështjet ekonomike ai kërkoi ndërhyrje nga qeveria dhe banka qendrore e Rusisë ndaj inflacionit të lartë.
Rusia është tashmë vendi më i sanksionuar në botë. Bankat ruse dhe ndërmarrjet ushtarako-industriale janë përshtatur dhe kanë gjetur zgjidhje për t’iu shmangur sanksioneve ekzistuese. Nga Kremlini nuk pati ndonjë reagim të menjëhershëm, por zëvendës i dërguari i rus në OKB tha se Moska po pret të kuptojë se çfarë nënkupton Trumpi me marrëveshje.
Deri tani vetëm presidenti ukrainas Vlodymir Zelensky ka shprehur gatishmëri për t’u ulur në bisedime me Rusinë. Nga Davosi ku po merr pjesë në punimet e Forumit Ekonomik Botëror, ai tha se po përgatitet për një takim me presidentin Trump. Ekipet e të dy presidentëve po punojnë për hollësitë.
Klan News