Kandidati për president Donald Trump zgjodhi ta mbante tubimin e tij të fundit në Michigan. Ai trajtoi çështje të rëndësishme si ekonomia dhe emigracioni të cilat kanë dominuar edhe fushatën e tij elektorale.
Ai përsëriti disa nga premtimet e tij zgjedhore, duke përfshirë se ai dëshiron dënimin me vdekje për çdo emigrant që vret një oficer të zbatimit të ligjit ose një qytetar amerikan.
Ish-presidenti kaloi gjithashtu një pjesë të madhe të fjalimit të tij duke sulmuar Kamala Harris dhe Joe Biden dhe punën e bërë gjatë katër viteve të fundit, por nënvizoi përpjekjet e tij për të rregulluar çdo problem me të cilin përballet vendi.
“Do filloj duke ju bërë një pyetje: A jemi më mirë tani apo katër vite më përpara? Sepse gjatë këtyre viteve amerikanët janë përballur me poshtërime dhe dështime. Çfarë kanë bërë diçka të mirë gjatë këtyre viteve më thoni vetëm një?!”
Trump inkurajoi të gjithë të votojnë dhe premtoi ndryshime të mëdha nën administratën e tij.
“Si përfundim, me votën tuaj ne do të pushojmë Kamalën nga puna dhe do të shpëtojmë Amerikën. Ne do të ulim taksat dhe inflacionin tuaj, do të ulim çmimet tuaja, do të rrisim pagat tuaja dhe do të hapim mijëra fabrika në Amerikë dhe në Michigan.”
Në mbyllje të tubimit familja e tij ju bashkua ish-presidentit.Donald Trump Jr dhe Eric Trump u bënë thirrje njerëzve të dalin dhe të votojnë.
“Ju do të shpëtoni demokracinë në Shtetet e Bashkuara dhe do të ruani paqen në botë,” tha Eriku për babain e tij. Nga ana tjetër kundërshtarja e tij ishte në Pensilvani ku u pozicionua si kandidatja e një gjenerate të re lidershipi, ndërsa theksoi rëndësinë e çdo vote të vetme.
“Fushata jonë ka prekur ambiciet, aspiratat dhe ëndrrat e popullit amerikan.
“Ne jemi optimistë dhe të emocionuar për atë që mund të bëjmë së bashku. Ne e dimë se është koha për një gjeneratë të re lidershipi në Amerikë. Dhe unë jam gati ta ofroj atë udhëheqje si presidenti i ardhshëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Megjithatë, gara nuk ka përfunduar ende, dhe ne duhet të përfundojmë. Dhe kjo mund të jetë, kjo mund të jetë një nga garat më të ngushta në histori. Çdo votë ka rëndësi”.
Në tubim ishte i pranishëm bashkëshorti Douglas Emhoff dhe Oprah Winfrey. Pati edhe interpretime nga yje të njohur të muzikës si Ricky Martin e Lady Gaga të cilët kanë shprehur mbështetjen e tyre për kandidaten demokrate.
Harris bëri pesë ndalesa gjatë fushatës në Pensilvani, duke përfshirë dy qytete të cilat i vizitoi edhe ish-presidenti republikan Donald Trump, Reading dhe Pittsburgh.
Klan News