Donald Trump kërkon 115 milionë Dollarë dëmshpërblim nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë, për persekutim politik dhe abuzim me proceset ndaj tij.
Padia e paraqitur nga avokatët e ish-presidentit që garon për një mandat të dytë presidencial lidhet me ndërhyrjen e agjentëve të FBI-së dhe zyrtarëve të Departamentit të Drejtësisë në rezidencën e tij në Florida në Gusht të 2022-shit.
Trump pretendon se hetuesit hynë duke tejkaluar kompetencat e tyre në rezidencën e tij në Mar-a-Lago.
Sipas tij gjithçka ishte një show për të denigruar figurën e tij, duke e ditur që kishte si ambicie të garonte përballë Joe Biden-it në garën presidenciale të 5 Nëntorit.
Ndërhyrja u bë në kuadër të hetimeve mbi dyshimet se Trump kishte marrë me vete, në mënyrë të jashtëligjshme, dokumente të klasifikuara të Shtëpisë së Bardhë.
Muajin e kaluar Gjykata e Floridës hodhi poshtë akuzat e prokurorëve dhe e mbylli këtë çështje.
Trump kërkon 100 milionë Dollarë si masë ndëshkuese ndaj Departamentit dhe 15 milionë dëmshpërblim shtesë për shpenzimet që ka bërë për mbrojtjen në gjyq.
Tv Klan