“Do të ketë pasoja të rënda nëse grupi militant Hamas nuk liron pengjet”. Kështu ka deklaruar Presidenti i zgjedhur amerikan Donald Trump, duke lënë të kuptohet për ndërhyrje të mundshme ushtarake në Lindjen e Mesme.
“Nëse ata pengje nuk kthehen – nuk dua të dëmtoj negociatat tuaja – nëse nuk kthehen në kohën kur unë të marr detyrën, i gjithë ferri do të shpërthejë në Lindjen e Mesme. Dhe nuk do të jetë mirë për Hamasin dhe nuk do të jetë i mirë për askënd. Ata nuk duhet të kishin qenë kurrë promotorët të sulmit të 7 Tetorit”, tha Donald Trump.
I dërguari i tij special për Lindjen e Mesme Steve Witkoff i informoi gazetarët lidhur me bisedimet e tij të fundit të nivelit të lartë në rajon, duke thënë se ishte “në prag të arritjes së një marrëveshjeje” dhe se do të kthehej në rajon gjatë ditëve në vazhdim.
Witkoff shpresonte se do të kishte “gjëra të mira për të shpallur” deri në kohën kur Trump të betohet si President më 20 Janar.
Ndërkaq, thirrjes për një arritjen e një marrëveshjeje, i është bashkuar sërish edhe Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, i cili kërkoi miratimin përfundimtar të armëpushimit në Gaza përpara se Presidenti Joe Biden të largohej nga detyra.
Izraeli ka dërguar një ekip zyrtarësh të rangut të mesëm në Katar për bisedime. Mbetet e paqartë se sa afër mbeten të dy palët. Ndërkaq, sulmet e ushtrisë izraelite në Gaza vazhdojnë.
Të paktën 19 palestinezë janë vrarë deri më tani, duke përfshirë fëmijë të vegjël dhe gra.
Zyrtarët shëndetësore kanë bërë të ditur se spitalet në enklavën e shkatërruar nga lufta po përballen me një “katastrofë të vërtetë” për shkak të mungesës së vazhdueshme të karburantit.
Klan News