Donald Trump pranon ftesën e presidentit francez Emmanuel Macron, për të qenë krahas rreth 50 liderëve botërorë në ceremoninë e kësaj fundjave në Paris për rihapjen e katedrales së famshme mesjetare katolike “Notre Dame”.
Katedralja iu nënshtrua një restaurimi 5-vjeçar, pas zjarrit aksidental që shkatërroi një pjesë të saj në 2019-n. Përmes rrjetit social personal Truth, Trump vlerësoi angazhimin e Macron për restaurimin e kishës gotike që ai e quajti arritje të jashtëzakonshme.
Mediave u tërheq vëmendje fakti që Trump zgjedh ta bëjë në Paris, të parën vizitë që pas zgjedhjes si president, ndonëse ende nuk e ka nisur zyrtarisht mandatin. Ndonëse dy liderët i ndan një hendek i thellë bindjesh të ndryshme politike, analistët thonë se Macron zgjodhi këtë mënyrë për të ngritur një urë të re bashkëpunimi me presidentin e rikthyer në Shtëpinë e Bardhë.
Miqësia mes të dyve ruhet që në mandatin e parë të Trump, kur shkoi si i ftuar nderi në paradën ushtarake për ditën e Bastijës në 2017-ën.
Tv Klan